Bale: S’e di kush është kryeministri, më intereson vetëm golfi

  • 29 October 2019 - 11:52
Bale: S’e di kush është kryeministri, më intereson vetëm golfi

Ylli i Real Madridit, Gareth Bale, e ka pranuar se e kalon një pjesë të madhe të jetës së tij i izoluar, madje aq shumë saqë nuk ishte në gjendje ta thotë emrin e kryeministrit aktual të Britanisë së Madhe, Boris Johnsonit.

Uellsiani Gareth Bale ka qenë në qendër të vëmendjes gjatë kohës së fundit, për shkak të paqartësisë për të ardhmen e tij me Real Madridin. Mirëpo, këto spekulime kanë kaluar pa u vërejtur nga Bale, i cili i injoron mediat.

Në fakt, sulmuesi 30-vjeçar është shprehur mjaft i kënaqur me situatën e tij aktuale, për aq kohë sa i lejohet të luajë golf.

“Nuk kam asgjë në telefonin tim, kështu që përveç nëse shokët më dërgojnë diçka ose agjentët më thonë diçka që unë duhet ta di, unë nuk u kushtoj vëmendje. Nuk e shoh nevojën për të bërë diçka të tillë”, ka thënë uellsiani për The Telegraph.

“Unë i analizoj gjërat në aspektin financiar sepse kjo më ndikon mua për investime dhe para, sepse gjërat ndryshojnë. Por, nuk i lexoj shumicën e gjepurave. Unë sinqerisht nuk e di 99% të Brexit-it. Nuk e di as kush është kryeministri, s’ia kam idenë”.

“Mendimi im për këto gjëra s’ka vlerë, kështu që nuk interesohem. Unë e ndjek golfin, kjo është e gjitha. Unë mund të ju them se cili është numri një i botës në golf nëse doni”.

Kur u pyet se si e paramendon jetën e vet pasi të pensionohet nga karriera e tij si futbollist, Bale u përgjigj: “Në fushën e golfit, nuk kam menduar shumë për pensionimin. Jam 30-vjeçar dhe duhet të filloj të mendoj për këtë. Unë po tentoj të bëj gjithçka gati e jo të rri i ulur”.

Ndërkohë, Bale e ka dhënë maksimumin e tij për t’u kthyer në planet e trajnerit Zinedine Zidane në Santiago Bernabeu dhe ai ka luajtur shtatë herë këtë sezon për Los Blancos, duke shënuar dy herë dhe duke i asistuar dy gola të tjera.

Ka qenë një fillim i vështirë për klubin këtë sezon, që renditi i gjashti në tabelën e La Ligës, megjithatë ata e kanë një ndeshje më pak të zhvilluar, pasi që përballja e tyre me Barcelonën e xhiros së fundit është shtyrë për 18 dhjetor. 

(Kosova Sot Online)