Fillimi më i mirë i sezonit në karrierën e Muriqit

  • 29 October 2019 - 14:04
Fillimi më i mirë i sezonit në karrierën e Muriqit

Vedat Muriqi i ka realizuar 5 gola në 9 ndeshje me Fenerbahçen në Superligën turke deri tash këtë sezon. Sulmuesi kosovar nuk e kishte nisur kurrë më parë më mirë sezonin prej kur luan në futbollin turk

Vedat Muriqi nuk e kishte nisur kurrë më parë më mirë sezonin sesa në edicionin aktual.

Sulmuesi kosovar po shkëlqen në fanellën e Fenerbahçes, ku u transferua gjatë verës nga Rizespori.

25 vjeçari i ka realizuar 5 gola në 9 ndeshje dhe një fillim më të mbarë të sezonit nuk e kishte asnjëherë më parë.

Ai i ka zhvilluar 810 minuta deri tash, duke pasur statistika impresionues në klubin nga Stambolli.

Muriqi kishte nisur t’i vishte fanellat e klubeve turke që nga sezoni 2014/2015.

Në klubin e tij të parë turk, Giresunspor, ai nuk kishte shënuar asnjë gol në 9 ndeshjet e para, ndërsa e kishte mbyllur sezonin me 4 gola.

Në edicionin e dytë në Turqi, prizrenasi kishte realizuar 17 gola, prej tyre, 3 gola në 9 xhirot e para.

Në sezonin pasues, 2017-2018 kishte shkuar në Gençlerbirligi dhe kishte realizuar 2 gola në nëntë ndeshjet e para.

Gjithashtu, ai i kishte realizuar 2 gola në 9 ndeshjet e para me Rizesporin, me të cilin më pas shpërtheu duke e mbyllur sezonin e kaluar me 17 gola.

Tash, Muriqi ka 5 gola në 9 ndeshje, krahas një asistimi.

Ai synon ta ndihmojë ekipin e Fenerbahçes me sa më shumë gola dhe në fund të stoliset me titullin e kampionit në Turqi.

Gjithashtu, Muriqi ka shkëlqyer edhe me Përfaqësuesen e Kosovës, me të cilën i ka realizuar tre gola në tri ndeshje në muajt shtator e tetor, kundër Republikës Çeke, Anglisë dhe Malit të Zi.

Ai pritet ta japë kontributin e tij edhe në dy ndeshjet e fundit kualifikuese për Euro 2020, ndaj çekëve dhe anglezëve në nëntor. 

(Kosova Sot Online)