Drejtori i Werderit: Rashica, lojtar i klasit të lartë

  • 29 October 2019 - 15:56
Drejtori i Werderit: Rashica, lojtar i klasit të lartë

Drejtori sportiv i Werder Bremenit, Frank Baumann ka mbetur i impresionuar me Milot Rashicën, i cili shkëlqeu edhe në duel me Bayer Leverkusenin. Zyrtari i lartë i klubit gjerman thotë se kosovari është bërë lojtar i klasit të lartë.

Milot Rashica po i mahnit të gjithë në Gjermani me kualitetin dhe paraqitjet e tij.

Futbollisti kosovar i ka lënë gojëhapur edhe drejtuesit e Werder Bremenit.

Futbollisti ofanziv realizoi gol spektakolar në ndeshje me Bayer Leverkusenin fundjavën që shkoi në Bundesligë dhe me këtë rast po vazhdon ta impresionojë drejtorin sportiv të Werderit, Frank Baumann.

Vushtrriasi e realizoi golin e tretë sezonal në pesë ndeshje të zhvilluara.

“Për ne, goli i Milotit ishte i rëndësishëm në një fazë kur duhej të riktheheshim në lojë. Mënyra se si Rashica e shënoi golin, thjeshtë e shfaq klasin e tij. Mënyra se si e merr topin, se si kthehet dhe se si gjuan me këmbën e majtë, e cila mund të themi se është këmba e tij e dobët, kjo tregon kualitet të klasit të lartë”, theksoi Baumann për mediat gjermane.

Futbollistin e ka lavdëruar edhe trajneri Florian Kohfeldt.

“Ai ka treguar se është duke e rikthyer ritmin e duhur”, ka thënë trajneri gjerman pasi Rashica është më mirë fizikisht pas lëndimit të fundit.

Rashica mungoi në ndeshjet e para të sezonit për shkak të një lëndimi, ndërsa deri tash i ka zhvilluar 5 ndeshje, ndërkohë që është golashënuesi më i mirë i Werderit me 3 gola këtë edicion. 

(Kosova Sot Online)