Guardiola sqaron pse Messi s’vrapon shumë gjatë ndeshjeve

  • 30 October 2019 - 10:43
Guardiola sqaron pse Messi s’vrapon shumë gjatë ndeshjeve

Ish-trajneri i Barcelonës e tani në Manchester City, Pep Guardiola, ka thënë se duke mos vrapuar vazhdimisht gjatë ndeshjeve, Lionel Messi arrin ta mbajë nivelin e njëjtë të lartë të paraqitjeve për Barcelonën si kur kishte qenë më i ri në moshë.

Ylli i Barcelonës Lionel Messi i shënoi dy gola dhe i asistoi edhe dy të tjera në fitoren me rezultat 5:1 të skuadrës së tij kundër Real Valladolidit të martën, përderisa Barcelona u kthye në kreun e La Ligës.

Pasi që Messi do t’i mbushë 33 vjeç në fund të këtij sezoni, spekulimet për një pensionim të mundshëm të tij janë bërë gjithnjë e më të shpeshta. Por, Guardiola beson se argjentinasi e ka përshtatur stilin e tij të lojës për të qenë në gjendje të luajë sa më gjatë.

“Një ditë Messi do të pensionohet dhe Barcelona do të duhet ta përballojë këtë. Ajo që duhet të përgatitet është një hapësirë për një statujë, një mënyrë për ta nderuar Messin si Laszlo Kubalan apo Johan Cruyffit. Unë s’kam asnjë dyshim se ata do ta bëjnë këtë”, ka thënë Guardiola.

“Yjet duhet të vrapojnë si të gjithë të tjerët. Nëse s’e bëjnë këtë, skuadra s’mund ta përballojë dhe dikush duhet t’i bindë ata të vrapojnë. Nganjëherë, ti u thua atyre: “Nuk do të të detyroj të vraposh 40 metra si atletët 20-vjeçarë të skuadrës, por ma jepni një arsye pse ju s’duhet të vraponi”.

“Nëse dikush nuk vrapon, por i shënon nga tri gola çdo ndeshje, unë pajtohem që ata të mos vrapojnë. Por, askush s’arrin ta bëjë këtë gjë, vetëm Messi i afrohet”.

“Tani, Messit duhet t’i kërkohet të vrapojë vetëm nganjëherë dhe pak. Ai nuk mund ta vrapojë vazhdimisht. Nëse Leo do të vraponte tani si në sezonin tim të parë, ai do të ishte i lënduar çdo tre muaj. Gjëja më e vështirë për një trajner është t’i stërvitesh legjendar mbi 30 vjeç”.

Mbrëmë, kapiteni i Barcelonës Messi e asistoi golin e Arturo Vidalit me një pasim të shkëlqyeshëm para se ta shënonte në mënyrë të jashtëzakonshme një gjuajtje të lirë – të 50-tën për të në karrierë me Barcelonën dhe Argjentinën – para se të përfundonte pjesa e parë në Camp Nou.

Messi e shënoi golin e tij të dytë të ndeshjes pas pjesës së parë dhe pesë-herë fituesi i Topit të Artë pati rol vendimtar edhe në golin e Luis Suarezit. Me anë të ndihmës së argjentinasit, Barcelona u ngrit mbi Granadan dhe Atletico Madridin në tabelës e ligës elitare të futbollit spanjoll.

Barcelona është dy pikë përpara Granadas dhe Atletico Madridit, mirëpo Barcelona dhe Real Madridi e kanë nga një ndeshje më pak të zhvilluar, për shkak se El Clasico që ishte dashur të zhvillohej në xhiron e kaluar është shtyrë për 18 dhjetor. 

(Kosova Sot Online)