Messi e kalon Ronaldon për gola të shënuar në karrierën me klube

  • 30 October 2019 - 11:14
Messi e kalon Ronaldon për gola të shënuar në karrierën me klube

Dy golat e argjentinasit Lionel Messi kundër Real Valladolidit mbrëmë bënë që ai ta arrijë shifrën prej 608 golave në karrierën e tij me klube, duke e kaluar Cristiano Ronaldon, i cili i ka shënuar 606 gola në karrierën me klube.

Lionel Messi e pati një natë magjike mbrëmë në Camp Nou, pasi që kapiteni argjentinas i katalonasve ishte kyç në fitoren e thellë me rezultat 5:1 të skuadrës së tij kundër Valladolidit, duke kontribuar me dy gola dhe dy asiste.

Dy golat e tij të shënuara kundër Valladolidit bënë që sulmuesi i lindur në Rosario të kalojë përpara në librat e rekordeve për numrin e golave të shënuara me klube, jo Kombëtare, në karrierë.

Goli i dytë i ndeshjes të martën ishte goli i 608-të në karrierë për Messin, ndërsa Cristiano Ronaldo ka arritur t’i shënojë 606 gola gjatë karrierës së tij në Lisbonë, Mançester, Madrid e tani edhe në Torino.

32-vjeçari Messi e arriti shifrën prej 608 golave në 695 ndeshje të zhvilluara me Barcelonës, ndërsa rivali i tij portugez e arriti golin e 606-të në 813 ndeshje të zhvilluara për Sporting CP, Manchester Unitedin, Real Madridin dhe Juventusin.

(Kosova Sot Online)