U filmua duke rrahur futbollistët, trajneri i Laçit përfundon në stacion policor

  • 30 October 2019 - 15:52
U filmua duke rrahur futbollistët, trajneri i Laçit përfundon në stacion policor

Laçi ka “skifterë”, por edhe trajnerë gangsterë… Kjo shprehje po qarkullon si batutë pas videos së fundit, shokuese për cilindo që e ka parë, ku është i përfshirë një nga njerëzit që ka dhënë më shumë për futbollin në “qytetin industrual”, i krijuar në funksion të Uzinës së Superfosfatit (1967).

Dikur edhe trajner i ekipit të parë kurbinas të futbollit, sot në pension, i njohur dhe thirrur nga të gjithë atje si “profesori”, 77-vjeçari Ndue Tarazhi duhet të paguajë për një moment tejkalimi të rregullave sportive, gjë e rrallë për të, por si duket ajo humbje e para tri viteve i paskësh djegur shumë. 

Një video e ruajtur si “fisheku në pajë”, për t’ia prishur qetësinë profesorit të njohur të futbollit në Laç, tashmë kur i “ka varur këpucët në gozhdë”, ka bërë xhiron e rrjeteve sociale, por jo vetëm. E nëse ligji, në normat juridike, ka fuqi edhe për të kaluarën, aspekti profesional e moral rëndon më tepër mbi të. Me siguri, nëse jo për klikime në portale, me këtë synim e ka nxjerrë nga sënduku edhe poseduesi i saj, duke e njollosur (turpëruar) në pleqëri Tarazhin.

Diçka që dhemb fort në ato anë, pavarësisht se paralelet që mund të hiqen janë të freskëta me trajnerin turk, që bënte të njëjtën gjë me futbollistët e vet në dhomat e zhveshjes, pas humbjes. Ama, në këtë rast, kemi të bëjmë me të mitur (17-vjeçarë), sikurse i konsideron policia, e cila e ka referuar rastin në organet e drejtësisë. Më konkretisht, Tarazhi akuzohet për “keqtrajtim të të miturve”. Ja njoftimi i policisë së qarkut të Lezhës: 

“Sqarim në lidhje me videon që u publikua në rrjetet sociale dhe në media, ku shfaqet një shtetas duke fyer dhe keqtrajtuar disa të mitur. Nga specialistët e seksionit për hetimin dhe parandalimin e krimeve në Komisariatin e Policisë Kurbin u procedua penalisht shtetasi N.T., 77 vjeç, banues në Laç.

Nga veprimet e para hetimore rezulton se këto pamje janë të vitit 2016, në kohen kur shtetasi N.T. ka qenë trajner futbolli i skuadrave të moshave të KF LAÇI. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Kurbinit për vepren penale në ngarkim të tij, “Keqtrajtim i të miturit”.

Në videon më poshtë mund të njiheni me anën tjetër të medaljes së “profesorit” kurbinas, i cili ia kushtoi jetën sportit dhe futbollit në atë zonë e krahinë. Me siguri, videoja e vitit 2016 (e dënueshme) do të duket si një pikë uji në oqeanin e asaj çka përmbledh karriera dhe jeta e Ndue Tarazhit, evidentuar nga kolegë e të njohur në këtë emision të Televizoni Publik Shqiptar për të.

FJALA E ISH-TRAJNERIT PARA LOJTAREVE NE VIDEO:
Ti, mirë je? Po ti, mirë je dhe ti? Po ti, ku je? Ata bënë dy gola, dhe i bënë për fajin tënd. Po ti, do me lujt futboll, do me lujt në Greqi? Pisa. S’ju vje turp, maskarenj. Palaço. Doni me lujt futboll me Laçin. Zagarë. A ju thashë të hyni me mentalitet fituesi? Si jua bëjnë golin ju të dyve? Asnjë nuk i turret topit. A ju kam thënë të bëni regjim 1-ditor? Nuk keni fjetur gjithë natën, rrini nëpër televizor e kafe, nuk ju vjen turp. Ai ekip lask***sh atje, me ju mund ata, mër pisa. Nuk kam çfarë ju them, në dash fitoni, në dash humbni. Pisa. Ju jeni pisa. Dy gola ty t’i kanë bërë. Të dy. Ti i ke ngrënë. Nuk ju vjen turp. Në duel shpejtësie. Çfarë ke që sheh? Ulu aty, se ta marr shpirtin. Ulu këtu, ulu këtu, këtu.

(Kosova Sot Online)