Feronikeli: E falënderojmë trajnerin Vukicevic, ndryshimet ishin të nevojshme

  • 30 October 2019 - 15:57
Feronikeli: E falënderojmë trajnerin Vukicevic, ndryshimet ishin të nevojshme

Klubi i futbollit Feronikeli e ka konfirmuar ndarjen me trajnerin Dejan Vukicevic, të cilin e ka falënderuar për punën dhe kontributin e dhënë në këtë periudhë të shkurtër për kampionin e Kosovës.

Mirëpo, klubi nga Drenasi përmes uebfaqes së vetë ka thënë se ndryshimet ishin të domosdoshme, për faktin se “Nikli” gjendet në pozitën e gjashtë në tabelë.

“Trajneri, Dejan Vukicevic dhe FC Feronikeli kanë ndërprerë bashkëpunimin. Pas një bisede të trajnerit, Vukicevic dhe Presidentit të klubit, Naser Ramaj, që të dy janë dakorduar që të ndërpritet bashkëpunimi, që do të thotë se Vukicevic nuk do të jetë më trajner i FC Feronikelit”, ka shkruar fillimisht klubi gjelbër e bardhë.

“Është e dukshme që klubi po kalon në një fazë jo të mirë dhe se ndryshimet ishin të nevojshme, prandaj edhe erdhi deri te kjo ndërprerje e bashkëpunimit. Sidoqoftë, FC Feronikeli falënderon trajnerin, Dejan Vukicevic, për punën dhe profesionalizmin e treguar deri në ditën e tij të fundit si trajner i klubit. FC Feronikeli do të njoftojë me kohë për pasuesin e trajnerit, Vukicevic”, njofton tutje Feronikeli.

Shumë shpejt, ky klub do ta zbulojë edhe emrin e trajnerit të ri, pasi të shtunën do ta zhvillojë një ndeshje mjaft të rëndësishme kundër liderit aktual, Ballkani.

(Kosova Sot Online)