Ish-ylli argjentinas: Messi duhet të shkojë në Real për ta dëshmuar se është më i miri në botë

  • 31 October 2019 - 13:01
Ish-ylli argjentinas: Messi duhet të shkojë në Real për ta dëshmuar se është më i miri në botë

Ish-portieri i Boca Juniors, Hugo Gatti, ka pretenduar se mënyra e vetme përmes të cilës Lionel Messi mund ta dëshmojë se ai është lojtari më i miri në botë është duke u transferuar në Real Madrid dhe duke e dëshmuar aty se mund ta bëjë atë që e kishte arritur Cristiano Ronaldo aty.

Edhe pse Lionel Messi ishte mbresëlënës në fitoren me rezultat 5:1 të Barcelonës kundër Real Valladolidit të martën – duke i shënuar dy gola dhe duke i asistuar dy të tjera – bashkëkombësi i tij nuk është i bindur se ai do t’i arrinte të njëjtat suksese në ndonjë klub tjetër.

“Duket sikur unë të jem anti-Argjentinë, por deri kur Messi të performojë në ndeshjet e mëdha… ai do të vazhdojë të jetë lojtar i ndeshjeve në shtëpi”, ka thënë Gatti në një intervistë të dhënë për mediumin spanjoll “El Chiringuito de Jugones”.

“Ai duhet të jetë i guximshëm dhe të shkojë në Real Madrid e të dëshmojë gjithçka aty, siç kishte bërë Cristiano Ronaldo. Përndryshe ai do të jetë vetëm një lojtar tjetër”.

“Cristiano shkoi në klubin më të mirë në botë. Messi luan në shtëpi, në fushën e tij që ka gjithçka të rehatshme për t’u cilësuar si në shtëpinë e vet”.

“Le të performojë në Ligën e Kampionëve dhe Kupën e Botës, përndryshe ai do të mbetet vetëm si një futbollist tjetër në mesin e shumë të tillëve”.

“Kur ai të përformojë në atë nivel, ai do të luftojë me Johan Cruyffin, Diego Maradonan dhe Pelen. Messi luan kur ata e lejojnë të luajmë. Është e lehtë ta bësh këtë kur gjithçka është në favor tëndin në shtëpi”. 

(Kosova Sot Online)