“Kanë marrë fund ditët e Mustafit në Premierligë”

  • 31 October 2019 - 13:23
“Kanë marrë fund ditët e Mustafit në Premierligë”

Ish-mbrojtësi legjendar i Liverpoolit, Jamie Carragher, beson se ditët e qendërmbrojtësit të Arsenalit, Shkodran Mustafit, në Premierligë janë të numëruara, pas eliminimit të “Topçinjve” nga Carabao Cup.

Qendërmbrojtësi shqiptar Shkodran Mustafi shënoi në portën e vet në një ndeshje dramatike me plot dhjetë gola në barazimin 5:5 në kohë të rregullt në Anfield.

Ish-mbrojtësi i Kombëtares së Gjermanisë e futi topin në rrjetën e portës së vet në përpjekje për ta larguar rrezikun në minutën e gjashtë të ndeshjes, pasi në vend se ta përdorte këmbën e majtë, më natyrale në atë rast, e përdori të djathtën, të parapëlqyerën e vet.

Arsenali luftoi fort dhe ishte buzë kalimit në çerekfinale, por një gol i vonshëm i Divock Origit në minutën e 94-të, e shpëtoi Liverpoolin nga eliminimi dhe bëri që fituesi të vendosej në penallti.

Dani Ceballos ishte lojtari i vetëm i Arsenalit që dështoi nga pika e bardhë, derisa të gjithë pesë lojtarët e Liverpoolit shënuan, duke e dërguar skuadrën e Jurgen Kloppit në çerekfinale me rezultat të përgjithshëm 5:4 në penallti.

Pas përfundimit të ndeshjes, Mustafi u bë objekt talljeje në rrjetet sociale, me tifozët e Arsenalit që nuk treguan aspak mëshirë për shqiptarin. E mëshirë për futbollistin nuk tregoi as legjenda e Liverpoolit Carragher.

“Mendoj se ditët e tij në Premierligës kanë marrë fund tashmë. Ai është njëri ndër ata mbrojtës që bën gabime. Kur është një lojtar që e bën këtë gjë, të tjerët janë më shumë nën presion”, ka thënë Carragher.

“Ti s’ke mundësi ta luash lojën tënde sepse gjysmën e kohës je duke i mbuluar gabimet e tij. Mendoj se të gjithë në Arsenal do të jenë më mirë pas largimit të tij”.

Carabao Cup ishte ndër garat e vetme ku Mustafi kishte shansin të luante, duke qenë në Unai Emery nuk e ka ftuar as si rezervistë në ndeshjet e Premierligës këtë sezon.

Shqiptari i ka vetëm pesë paraqitje deri tani këtë sezon për Arsenalin, tri në Ligën e Evropës dhe dy në Carabao Cup.

(Kosova Sot Online)