Tuchel lavdëron Verrattin: Ai është ndër më të mirët në botë

  • 01 November 2019 - 08:50
Tuchel lavdëron Verrattin: Ai është ndër më të mirët në botë

Trajneri i Paris Saint-Germainit, Thomas Tuchel, e ka lavdëruar Marco Verratin, të cilin e quajti yll të jashtëzakonshëm dhe e cilësoi si njërin ndër mesfushorët më të mirë në botë për momentin.

Marco Verratti nënshkroi kontratë të re pesëvjeçare me Paris Saint-Germainin të mërkurën, pasi e ka fituar statusin e një lojtari kyç në skuadrën e  Thomas Tuchel, që kur u transferua në Ligue 1 në vitin 2012.

Mesfushori italian, që ka kontratë në Paris tani deri në vitin 2024, i ka fituar gjashtë trofe të Ligue 1 dhe 22 trofe gjithsej, që nga transferimi i tij nga Pescara.

Tuchel e lavdëroi 26-vjeçarin duke e quajtur atë ëndërr për trajnerët, në konferencën për shtyp para udhëtimit të së premtes për përballjen me klubin e fundit në tabelën e Ligue 1, Dijon.

“Siç kam thënë shumë herë, Marco është shumë i rëndësishëm për ne. Ai është lojtar kyç në skuadrën tonë dhe është njëri ndër mesfushorët më të mirë në botë”, ka thënë Tuchel.

“Ka gjithmonë vend për përmirësime, mirëpo ne mund t’i besojmë atij. Ai ka shumë përgjegjësi brenda grupit. Gjithmonë mendon për të tjerët dhe për lumturinë e  tyre. Ai është lojtar skuadre. Gjëja më e mirë që mund t’i ndodhë një trajneri është ta stërvitë Marcon”.

“Jam shumë i kënaqur që ai është lojtari im dhe që është me ne sepse ai është një lojtar i jashtëzakonshëm me një mentalitet shumë të rrallë. Mendoj se të gjithë janë të lumtur që ai është me ne.

PSG-ja radhitet në pozitën e parë në tabelën e Ligue 1, me tetë pikë më shumë sesa Nantes, që radhitet në pozitën e dytë, pas 11 xhirove të para të sezonit 2019/20 të Ligue 1. 

(Kosova Sot Online )