Zbulohet fanella e veçantë e Kosovës për ndeshjen kundër Çekisë

  • 01 November 2019 - 14:19
Zbulohet fanella e veçantë e Kosovës për ndeshjen kundër Çekisë

Faqja zyrtare e sponsorit kryesor të Kombëtares së Kosovës, Fourteen, e ka publikuar fanellën e veçantë të cilën “Dardanët” do ta veshin në ndeshjen e rëndësishme kundër Republikës Çeke këtë muaj.

Përballja mes Çekisë dhe Kosovës, e cila do të zhvillohet më 14 nëntor në “Doosan Arena”, do të jetë vendimtare për fatin e të dyja Kombëtareve në Grupin A kualifikues për Kampionatin Evropian 2020.

Çekia radhitet në pozitën e dytë në tabelën e Grupit A, me një pikë më shumë të fituar sesa Kosova, përderisa Anglia është lidere e grupit. Me fitore në përballjen e 14 nëntor, Çekia do ta fitonte kualifikimin në EURO 2020, ndërsa Kosova do të duhej të tentonte edhe një herë përmes play-offs të Ligës së Kombeve.

Prezantimin e plotë të fanellës së veçantë të Kosovës për këtë ndeshje mund të ndiqni  në videon e mëposhtme.

 

Every match is an adventure, every match is special, it's time to remember every moment, that's why we're with you to remember it. Czech Rep vs Kosovo - Special Edition Match Jersey. Pre-order now and support your National Team. #fourteenyourteam #dardanet Federata e Futbollit e Kosovës - Football Federation of Kosova

Posted by 14 Fourteen - Official on Friday, November 1, 2019

“Çdo ndeshje është një aventurë, çdo ndeshje është e veçantë, është koha ta kujtojmë çdo moment, kjo është arsyeja pse ne jemi me ju për ta kujtuar atë”, shkruhet në faqen e kompanisë “14 Fourteen”.

Kosova duhet të ngrihet të paktën në pozitën e dytë në tabelën e Grupit A për ta arritur kualifikimin në Kampionatin Evropian përmes fazës së grupeve. Më poshtë mund t’i lexoni rezultatet që i duhen Kosovës në dy ndeshjet e nëntorit – kundër Çekisë dhe Anglisë, për ta siguruar kualifikimin.

– Kosova eliminohet nëse humb kundër Republikës Çeke.

– Nëse Kosova e mposht Çekinë, atëherë mund t’i duhet barazimi kundër Anglisë varësisht nga rezultati i ndeshjes Bullgari – Çeki (nëse Çekia fiton kundër Bullgarisë, Kosovës do t’i duhej të paktën barazim kundër Anglisë; çfarëdo barazimi apo humbje e Çekisë kundër Bullgarisë do ta dërgonte Kosovën automatikisht në Evropian, pavarësisht rezultatit kundër Anglisë).

– Nëse Kosova barazon kundër Çekisë, atëherë Kosovës i duhet të paktën barazim kundër Anglisë dhe Çekia duhet të humbë kundër Bullgarisë.

– Nëse Kosova s’e arrin kualifikimin në këtë mënyrë, e ka të siguruar një vend në play-offs, si fitues i Grupit D3 të Ligës së Kombeve. 

(Kosova Sot Online)