Kolasinac e pranon: Ozili s’është i lumtur me situatën e tij në Arsenal

  • 01 nëntor 2019 - 14:47
Kolasinac e pranon: Ozili s’është i lumtur me situatën e tij në Arsenal

Se Mesut Ozili është i pakënaqur me situatën e tij në Arsenal e ka pranuar edhe bashkëlojtari i tij në klubin londinez, Sead Kolasinac, i cili edhe e ka lavdëruar gjermanin me origjinë turke për vullnetin dhe punën e tij.

Mesfushori gjerman me origjinë turke ka qenë temë debati për tifozët e Arsenalit në Emirates që një kohë të gjatë. Disa prej tyre besojnë se talenti i Mesut Ozilit është shumë i nevojshëm për skuadrën e disa e kritikojnë futbollistin për etikën e tij të punës në fushën e lojës.

Trajneri aktual Unai Emery, gjatë javëve të fundit, ka qenë në mesin e atyre që s’janë tifozë të mëdhenj të Ozilit, pasi që ky i fundit ka mbetur vazhdimisht jashtë formacionit të Arsenalit për ndeshjet.

“Mesuti është një lojtar me shumë motivim. Ai është pak i palumtur për momentin, por ti s’do të mund ta kuptoje këtë kurrë në stërvitje. Ai po bën gjithçka që mundet. Ai po bën sesione shtesë për t’u siguruar që është në nivelin e dëshiruar”, ka thënë Kolasinaci.

“Mesuti është Mesuti. Ai ka shumë cilësi të veçanta. Për shembull, skuadra kundërshtare mund t’i vendosë dy lojtarë për ta mbrojtur atë në vend të një dhe kjo krijon më shumë hapësirë edhe për ne”.

Ndërkohë, Ozili nuk ka qenë i vetmi person që ka shkaktuar telashe në Emirates. Së fundi, kapiteni Granit Xhaka u fishkëllye nga tifozët kur po zëvendësohej gjatë barazimit 2:2 kundër Crystal Palace, të dielën.

Mesfushori zviceran me origjinë shqiptare iu përgjigj tifozëve që po i fishkëllenin duke i sharë dhe duke e zhveshur fanellën, të cilën e gjuajti në tokë gjatë kohës sa po shkonte drejt tunelit për t’u larguar nga fusha.

Emery nuk duket se dëshiron që Arsenali t’i japë ndonjë ndëshkim të madh Xhakës. E gjitha kjo situatë në Arsenal ka bërë që Ozili të ketë më shumë gjasa të luajë në mesfushën e Arsenalit. 

(Kosova Sot Online)