Zyrtare: Kosova luan me fanella të bardha kundër Çekisë

  • 01 November 2019 - 14:55
 Zyrtare: Kosova luan me fanella të bardha kundër Çekisë

Përfaqësuesja e Kosovës do të paraqitet me fanella të bardha në ndeshjen e rëndësishme ndaj Republikës Çeke, e vlefshme për kualifikimet e Euro 2020, e cila do të zhvillohet më 14 nëntor.

Përfaqësuesja e Kosovës do ta zhvillojë ndeshjen vendimtare të kualifikimeve për Euro 2020 ndaj Republikës Çeke më 14 nëntor.

Dhe, kompania “14 Fourteen”, e cila përkujdeset për rekuizitat sportive të Verdhekaltërve, e ka dizajnuar një tjetër edicion special të fanellave për “Dardanët”.

Në fakt, në bazë të një postimi të kësaj kompanie në rrjetet sociale, shihet se Kosova në ndeshje me çekët do të prezantohet me fanellat me ngjyrë të bardhë dhe në mes me të kaltër.

Dizajni është vërtet unik, pasi në fund të fanellës shihet harta e Kosovës.

“Çdo ndeshje është një aventurë, çdo ndeshje është e veçantë, është koha ta kujtojmë çdo moment, kjo është arsyeja pse ne jemi me ju për ta kujtuar atë”, shkruan kompania “14 Fourteen” në faqen e saj në Facebook.

(Kosova Sot Online)