Zhdrella ia jep Llapit fitoren kundër Drenicës

  • 01 November 2019 - 14:59
Zhdrella ia jep Llapit fitoren kundër Drenicës

Llapi arriti t’i fitojë tri pikët nga përballja me Drenicën në Podujevë, që përfundoi me rezultat 1:0 për vendasit. Përkundër që skuadra e Tahir Batatinës u tregua e suksesshme në këtë ndeshje, ajo sërish mbetet në pozitën e pestë në tabelën e Ipko Superligës së Kosovës.

Xhiroja e 13-të e sezonit 2019/20 filloi në me përballjen Llapi – Drenica në Podujevë, të cilën vendasit e fituan me rezultat 1:0. Megjithatë, këtë fitore nuk kishin mundësi ta shijojnë tifozët e klubit podujevas, pasi që Llapi është ndëshkuar të luajë pa tifozë.

Llapi e nisi më mirë këtë sfidë dhe arriti të kalojë në epërsi qysh pas dhjetë minutave lojë, kur shënoi sulmuesi i njohur Mentor Zhdrella.

Ky ishte goli i parë në 422 minuta lojë që Drenica e pësoi, pasi që i kishte zhvilluar tri ndeshjet e fundit – dy fitore, një barazim – duke e mbajtur portën e paprekur. Për herë të fundit, drenicasit kishin pësuar gol nga Gilberto Fortunato kundër Dritës.

Llapi vazhdoi të dominojë edhe në minutat në vazhdim dhe Zhdrella shkoi afër golit të tij të dytë disa minuta më vonë, nga gjuajtja e lirë. Kur u afrua fundi i pjesës së parë të ndeshjes, Drenica e pati një dominim të lehtë, që megjithatë s’arriti ta shfrytëzojë për të shënuar gol.

Drenica ishte më bindëse në pjesën e dytë të ndeshjes, megjithatë edhe Llapi pati raste për të shënuar. Por, asnjëra skuadër s’u tregua e saktë para portës dhe ndeshja përfundoi me rezultat e pjesës së parë, 1:0 për Llapin.

Pas kësaj fitoreje, Llapi mbetet në pozitën e pestë me 23 pikë të fituara nga 13 ndeshjet e zhvilluara, tri më pak sesa lideri Ballkani, që e ka një ndeshje më pak të zhvilluar. Në anën tjetër, Drenica radhitet e shtatë, me 17 pikë.

Gjatë kësaj fundjave do të zhvillohen edhe ndeshjet e tjera të kësaj xhiroje,  në të cilën e merr vëmendjen derbi mes kampionit në fuqi, Feronikelit, dhe liderit të tabelës, Ballkanit, të shtunën në orën 13:00 në Drenas.

(Kosova Sot Online)