Jovic: Tifozët e Realit u treguan të ashpër me mua

  • 01 November 2019 - 16:06
Jovic: Tifozët e Realit u treguan të ashpër me mua

Sulmuesi i Real Madridit, Luka Jovic, e ka dhënë një intervistë për mediumin serb Sportski Zurnal, ku ka folur për vështirësitë me të cilat është përballur që kur iu bashkua gjigantit spanjoll nga Eintracht Frankurti, gjatë verës për 60 milionë euro.

21-vjeçari Luka Jovic, i cili u transferua në Spanjë pas një sezoni mbresëlënës me klubin e Bundesligës, nuk ka pasur shumë mundësi për ta dëshmuar veten te skuadra e Zinedine Zidane. Ai e shënoi golin e parë për madrilenët në fitoren 5:0 kundër Leganes në mesjavë.

“Nuk ka qenë e lehtë, kam pritur gjatë për atë gol. Isha nën shumë presion, por unë jam i vetëdijshëm për aftësitë e mia dhe e dija se ishte në pyetje vetëm koha. U motivova nga dëshira për ta dëshmuar veten te klubi më i madh në botë se ata nuk gabuan që më sollën këtu”, ka thënë Jovic.

“U ndjeva shumë i liruar që e shënova atë gol, ma largoi pak presionin mbi shpatulla. Ka qenë një periudhë e vështirë për mua, për karrierën time. Edhe pse unë kurrë nuk dyshova në aftësitë e mia dhe njerëzit përreth – familja, bashkëlojtarët dhe trajneri – më besojnë, tifozët ishin të ashpër me mua dhe nuk ishte e këndshme t’i lexoja ata artikuj”.

“Shpresoj se ata do të fillojnë të kenë më shumë besim te unë. Ky është fillimi dhe unë shpresoj se golat e mia do ta ndihmojnë Real Madridin në të ardhmen për t’i arritur qëllimet e klubit”.

“Jam shumë i lumtur për shkak të përkrahjes që kam pasur. Ne jemi një grup shumë i afërt me njëri-tjetrin dhe vetëm një gjë ka rëndësi për ne: të fitojmë për Real Madridin”.

(Kosova Sot Online)