Xhaka merr mbështetje nga Guardiola: Shpresoj ta falin, ai ka diçka speciale

  • 01 November 2019 - 17:28
Xhaka merr mbështetje nga Guardiola: Shpresoj ta falin, ai ka diçka speciale

Guardiola shpreson që tifozët e Arsenalit ta falin Granit Xhakën. ish-trajneri i Barcelonës shpreson që 27-vjeçari shqiptar “të tregojë se sa lojtar fantastik është“

Mesfushori shqiptar i Arsenalit, Granit Xhaka, vazhdon të jetë temë diskutimi në mediat angleze, por edhe në mbarë botën.

Kapiteni i Zvicrës dhe i ‘Topçinjve’ shau tifozët ditë më parë dhe shprehu gjithë nervozizmin teksa ata po e vërshëllenin derisa po largohej nga fusha e ‘Emirates Stadium’.

Ai u kritikua shumë për veprimet që bëri, kishte edhe nga ata që e mbronin, sidomos pasi kërkoj falje. Një gjë të tillë e ka bërë edhe trajneri i Manchester City, Pep Guardiola. 

“Nuk është e lehtë ndonjëherë për futbollistët, për të gjithë ne. Emocionet në ato momente janë të mëdha, nuk e di se çfarë mund të ziente përbrenda. Ndoshta nuk jam njeriu i duhur të them diçka të tillë, pasi nganjëherë përfshihem edhe unë nga emocionet dhe nuk mund ta kontrolloj vetën, por duhet të përpiqemi”, u shpreh Guardiola.

“Në fund, është thjesht një ndeshje, të argëtohesh. Jam i sigurt se të gjithë lojtarët, duke përfshirë edhe Xhakën, japin më të mirën për Arsenalin dhe për t’i fituar ndeshjet. Ai është kapiten pasi ka diçka speciale në dhomat e zhveshjes. Ndodh që të humbasësh kontrollin, por duhet të falet, të ecin përpara. Shpresoj që në të ardhmen tifozët ta falin Xhakën, të rikthehet dhe të tregoj se sa lojtar fantastik është”, shtoi mes tjerash Guardiola.

Ai është pjesë e Arsenalit që nga viti 2016, kur u transferua nga Borussia Monchengladbach për 35 milionë funte. Xhaka, tashmë në sezonin e katërt me “Topçinjtë”, ka bërë 143 paraqitje dhe ka shënuar 11 gola.

Këtë sezon, ai u emërua kapiten i përhershëm i Arsenalit, por veprimi që bëri vikendin e kaluar, mund t’ia heq shiritin nga dora.

(Kosova Sot Online)