Conte: Ky Inter nuk është si Juventusi im!

  • 01 November 2019 - 19:03
Conte: Ky Inter nuk është si Juventusi im!

Antonio Conte ka insistuar se skuadra e Inter nuk është aspak si Juventusi i tij në vitin e parë te “Zonja e Vjetër”. “Nuk ishim në Europë atë vit…”

Duke folur në konferencë para ndeshjes me Bolognan nesër, ish trajneri i Italisë është pyetur për ngjashmëritë e mundshme të skuadrës së tij aktuale me Juventusin e sezonit 2011/12, ku triumfoi në Serie A.

Edhe tani, edhe pse 1 pikë prapa Juventusit, Interi shihet si një ndër kandidatët më serioz për ta fituar titullin në Itali.

“Jo, nuk ishim në Europë atë vit”, tha Conte. 

“S’mund të bëni krahasime, ngjashmëria e vetme është se gjithmonë se ne vrapojmë 1000 kilometra në orë, momentin që nuk vrapojmë ose ulim ritmin duke hequr këmbën nga gazi, nuk fitojmë. Nuk jemi skuadër që presim”.

Interi ka 8 fitore, një humbje dhe një barazim pas 10 xhirove në Serie A dhe gjendet në pozitën e dytë në renditje, me 25 pikë, një më pak se lideri, Juventusi.

(Kosova Sot Online)