“Largimi nga Arsenali mund të jetë opsioni më i mirë për Xhakën”

  • 02 November 2019 - 09:37
“Largimi nga Arsenali mund të jetë opsioni më i mirë për Xhakën”

Mark Noble e ka këshilluar Xhakën që të nisë të mendojë largimin nga Arsenali.

Ish-futbollisti i akademisë së Arsenalit, tani kapiten i West Ham United, Mark Noble, mendon se opsioni më i mirë për Granit Xhakën pas incidenteve me tifozët, është largimi nga “Topçinjtë”.

Xhaka vazhdon të jetë temë diskutimi në gjitha mediat botërore, pasi shajti tifozët ditë më parë i irrituar pas vërshëllimave të shumta që mori në ‘Emirates’, dhe që vazhdimisht po i ndodh që nga starti i këtij sezoni.

Të shumtë janë ata që e kanë kritikuar, por edhe e kanë mbrojtur – i fundit është Pep Guardiola që e ka arsyetuar veprimin e Xhakës duke thënë; “Edhe unë bëj gabime dhe kaplohem nga emocionet”.

“Granit është nën zjarr për reagimin që bëri”, tha Noble për ‘The Standard’. “Por unë kam simpati për të”.

“Unë e di se si është kur gjërat nuk shkojnë ashtu siç do të dëshironit, sepse nëse jeni menaxher ose kapiten, tifozët ju kritikojnë juve më së shumti”.

“Është e vështirë paksa sepse ju përpiqeni të bëni gjithmonë më të mirën, por nëse jeni vërshëllyer nga fansat tuaj është e pashmangshme të mos tradhtoheni nga emocionet. E kam përjetuar vetë, por në fund të fundit gjëja mirë është se gjithçka ndryshon me rezultate”.

“Natyrisht, Granit ka bërë gabime dhe nganjëherë disiplina e tij mund të mos jetë më e mira, por mënyra sesi kam parë gjithmonë është se tifozët blejnë biletat me paratë e fituara me vështirësi dhe ata krejt çka duan është të shikojnë ndeshje futbolli dhe kanë të drejtë të shprehin opinione”.

“Ndoshta, më e mira do të ishte që ai t’i thotë agjentit të tij; ‘Ja, ata nuk më pëlqejnë më këtu, kështu që ndoshta është më mirë nëse shkoj dhe luaj diku tjetër”, shtoi Noble.

“Do të ketë shumë që do ta kishin dashur sepse ai është një lojtar me cilësi dhe duket nga jashtë, që lojtarët e tij e duan atë, si profesionist dhe si një person. Nëse unë do të isha në vend të tij do të thosha, “Unë kam kaluar kohë të mira këtu, por ka nisur të mos funksionojë dhe është koha për një sfidë të re”. 

(Kosova Sot Online)