Fjalët e Shalës pasi ia siguroi ekipit të vet triumfin pas 12 ndeshjeve radhazi pa fitore

  • 04 November 2019 - 10:14
Fjalët e Shalës pasi ia siguroi ekipit të vet triumfin pas 12 ndeshjeve radhazi pa fitore

Herolind Shala ndihet i lumtur që ia siguroi Valerengas triumfin e parë pas 12 ndeshjeve radhazi pa fitore në Eliteserien – ligën elitare të futbollit në Norvegji.

Mesfushori i Kombëtares së Kosovës Shala shënoi në përfundim të pjesës së parë duke i ndihmuar Valerengas të fitojë 1:0 kundër Brann të dielën në Oslo, me atë që ishte goli i tri pikëve të para të plota për klubin nga kryeqyteti norvegjez pas një kohe shumë të gjatë.

Valerenga tani grumbullon 33 pikë në pozitën e 9-të, shtatë pikë larg zonës së rrezikshme të rënies nga liga dhe ngel shumë prapa top treshes në Eliteserien.

Shala, megjithatë, ndihet mrekullueshëm që goli i tij i gjashtë personal në 21 paraqitje deri tani në ligë këtë sezon, mjaftoi për fitoren e parë për skuadrën e tij pas gjashtë humbjeve dhe gjashtë barazimeve në 12 ndeshjet e fundit.

 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by Herolind Shala (@herolindshala) on

“Çfarë ndjesie fantastike. Vazhdojmë kështu”, shkroi mesfushori kosovar në një postim në Instagram, të cilit ia ka bashkangjitur edhe një video nga goli i triumfit.

Gjashtë gola dhe pesë asiste në 21 ndeshje deri tani në ligë për një mesfushor mbrojtës tregojnë se Shala është në formë shumë të mirë para dy ndeshjeve jetësore të Kosovës në kualifikime për Kampionatin Evropian 2020 këtë muaj.

Kosova e viziton Republikën e Çekisë para se ta presë Anglinë në Prishtinë, në dy ndeshjet finale të Grupit A kualifikuese, të cilat do ta përcaktojnë fatin e Kosovës për pjesëmarrje apo jo në Evropian në tentimin e parë. 

(Kosova Sot Online)