Koeman konfirmon se ka klauzolë që ia mundëson ta marrë drejtimin e Barcelonës

  • 04 November 2019 - 10:56
Koeman konfirmon se ka klauzolë që ia mundëson ta marrë drejtimin e Barcelonës

Trajneri i Holandës, Ronald Koeman, ka konfirmuar se është e vërtetë që e ka një klauzolë në kontratën e tij me Federatën e Holandës, e cila ia mundëson atij ta marrë drejtimin e Barcelonës sapo të mbarojë Kampionati Evropian i vitit 2020.

Trajnerit aktual të Barcelonës, Ernesto Valverde, është duke iu rrezikuar pozita tash e një kohë dhe humbja e fundjavës kundër Levantes veçse i ka shtuar thashethemet për shkarkimin e tij.

Por Koeman është mundësi e vlefshme për Barçën vetëm pas verës së vitit 2020, kur të përfundojë Euro 2020.

Drejtori sportiv i Federatës së Futbollit të Holandës, Nico-Jan Hoogma, pati zbuluar në një intervistë për Fox Sports kohë më parë se Koeman, i cili kishte luajtur për Barcelonën nga viti 1989 deri më 1995, ka një klauzolë në kontratën e tij me Holandën e cila ia mundëson të shkojë në Barçë pas përfundimit të Euro 2020, duke sugjeruar se katalonasit janë të interesuar në të.

“Kemi arritur marrëveshje për këtë (që Koeman të largohet), por (kushdo që e dëshiron) duhet të paguajë për të”, Hoogmn kishte shpjeguar, pa treguar se sa do të kushtonte ndërprerja e kontratës së Koeman.

Derisa e konfirmoi atë që e kishte thënë Hoogma, Koeman këmbënguli se nuk e ka ndërmend të largohet nga Holanda.

“Mund të them me siguri se nuk e braktisi pozitën time si trajner (i Holandës) për asnjë ekip. Fatkeqësisht u zbulua (çështja e klauzolës)”, tha Koeman.

“Nuk jam i zemëruar, por ne folëm për këtë. Është mirë të tregosh gënjeshtra të bardha nganjëherë”, shtoi ai.

(Kosova Sot Online)