Capello: Milani është në telashe, s’ka lojtarë të mirë dhe luan me frikë

  • 04 November 2019 - 11:04
Capello: Milani është në telashe, s’ka lojtarë të mirë dhe luan me frikë

Ish-trajneri i Milanit, Fabio Capello, ka thënë se kuqezinjtë janë në telashe, pasi nuk kanë kurrfarë personaliteti, pas një paraqitjeje tjetër të dobët të dielën kundër Lazios.

Milani humbi 2:1 kundër Lazios mbrëmë, duke e konfirmuar fillimin më të keq të sezonit në 78 vjetët e fundit dhe Capello e pranon se po brengoset për klubin të cilin e udhëhoqi drejt sukseseve të mëdha në vitet e 90-ta.

“Milani është në telashe. Lojtarit nuk i ka të nivelit të lartë, shihet qartë. Po luajnë me frikë”, tha trajneri veteran italian.

Ai i kritikoi në veçanti Lucas Paquetan dhe Rafaelo Leaon, duke theksuar se ata nuk po i përmbushin pritjet.

“Ata nuk kanë kurrfarë personaliteti dhe nuk po luajnë sipas vlerës që u ishte caktuar. Paqueta ka cilësi po nuk po i tregon. Leao më nervozoi kundër Lazios. Ai duhet të vazhdojë të luajë edhe kur nuk e ka topin në këmbë”, shtoi ai.

“Në Milan nuk shoh lider, apo kapiten, jo vetëm një i cili e vendos shiritin e kapitenit, por një lojtar i cili mund të ndihmojë në shpërndarjen e ideve të trajnerit”, theksoi ai.

(Kosova Sot Online)