Aguero tregon se si është dashur të përshtatet me taktikat e Guardiolës

  • 05 November 2019 - 10:31
Aguero tregon se si është dashur të përshtatet me taktikat e Guardiolës

Sergio Aguero e ka komentuar mënyrën se si ai është detyruar të përshtatet me taktikat e lojës të Pep Guardiolës gjatë viteve të fundit, pasi që e kishin të kaluar një vit të vështirë së bashku në Manchester City.

Gjatë sezonit 2016/17, sezoni debutues i Pep Guardiolës në Premierligë – Agueros i ishte rrezikuar vendi në formacionin e parë nga i riu Gabriel Jesus. Mediat raportonin se Aguero s’ishte i lumtur që s’ishte titullari i përhershëm dhe Guardiola e pranoi në një rast se argjentinasi mund të largohet nga klubi.

Aguero e mbylli atë sezon si golashënuesi më i mirë i Manchester Cityt me 33 gola në të gjitha garat dhe vendosi të mos largohet pasi e fitoi besimin e Guardiolës dhe e rifitoi pozitën e tij si titullar. Këtë sezon, ai i ka dhjetë gola në dhjetë paraqitje dhe është golashënuesi më i mirë në histori të Manchester Cityt me 241 gola.

Në një intervistë të dhënë për France Football këtë javë, Aguero foli se si, dalëngadalë, ai u mësua të përshtatet me taktikat dhe metodat e Guardiolës.

“Unë u desh të përshtatem me një mënyrë të re të të luajturit, shqetësohesha më shumë për golat dhe kalojë më shumë kohë brenda zonës së penalltisë”, ka thënë Aguero.

“Më parë, unë isha lojtar i lirë, në kuptimin që nuk e kisha një pozitë të caktuar në fushën e lojës. Me Pepin, të gjithë duhet të luajmë një rol dhe duhet ta respektojmë pozitën tonë. Pozita ime është si qendërsulmues. Në atë zonë duhet ta gjej veten”.

“Viti i parë me Guardiolës s’kishte qenë i lehtë. Gabrieli erdhi dhe Pepi i besoi atij. Unë vazhdova të punoj dhe, kur Gabrieli u lëndua, u bëra titullar sërish dhe e dëshmova se mund të luaj edhe në atë mënyrë. Në fund u përshtata”.

“Kur më zgjedh për ndonjë ndeshje, unë tentoj ta bëjë më të mirën të mundshme sepse e di se prapa vetes e kam Gabriel Jesusin, një sulmues që përgjigjet shpejt dhe shënon gola kurdo që i jepet mundësia në fushë. Me siguri është një problem i madh për Pepin ta zgjedhë se cili nga ne do të luajë”. 

(Kosova Sot Online)