E ardhmja e Sterlingut në futboll varet nga ndeshja në “Fadil Vokrri”

  • 05 November 2019 - 10:50
E ardhmja e Sterlingut në futboll varet nga ndeshja në “Fadil Vokrri”

E përditshmja britanike, The Guardian, raporton sot se Real Madridi do të dërgojë skautë në ndeshjen në “Fadil Vokrri” për ta monitoruar Raheem Sterlingun e Anglisë dhe Manchester Cityt.

Real Madridi është i gatshëm t’ia ofrojë Manchester Cityt 70 milionë funte dhe Gareth Bale-n në shkëmbim për sulmuesin anësor, Raheem Sterlingun, shkruan The Guardian.

Për t’u siguruar se ia vlen ta bëjnë një ofertë të tillë për Sterlingun, skautë spanjollë të Real Madridin do t’i analizojnë paraqitjet e anglezit në dy ndeshjet e radhës të Kombëtares së Anglisë, kundër Malit të Zi dhe Kosovës, në kuadër të kualifikimeve për EURO 2020.

Sterlingu, që e ka fituar epitetin si njëri ndër talentet më premtues në botën e futbollit, ka ngjallur interesim të madh te shumë klube të mëdha evropiane për shkak të paraqitjeve mbresëlënëse të tij me Manchester Cityn dhe Anglisë.

Për Kombëtaren e Anglisë, Sterlingu kishte shkëlqyer në ndeshjen e shtatorit kundër Kosovës me një gol të shënuar dhe dy asiste në fitoren me rezultat 5:3 të “Tre Luanëve” që edhe ia shkaktoi Kosovës humbjen e parë që kur u emërua trajner Bernard Challandes.

Megjithatë, tifozët kosovarë do të shpresojnë që skautët e Real Madridit të mos u bëjë përshtypje Sterlingu në ndeshjen në “Fadil Vokrri” më 17  nëntor, pasi që ajo është shumë e rëndësishme për ëndrrën e “Dardanëve” për t’u kualifikuar në EURO 2020.

Kosova duhet të ngrihet të paktën në pozitën e dytë në tabelën e Grupit A për ta arritur kualifikimin në Kampionatin Evropian përmes fazës së grupeve. Më poshtë mund t’i lexoni rezultatet që i duhen Kosovës në dy ndeshjet e nëntorit – kundër Çekisë dhe Anglisë, për ta siguruar kualifikimin.

– Kosova eliminohet nëse humb kundër Republikës Çeke.

– Nëse Kosova e mposht Çekinë, atëherë mund t’i duhet barazimi kundër Anglisë varësisht nga rezultati i ndeshjes Bullgari – Çeki (nëse Çekia fiton kundër Bullgarisë, Kosovës do t’i duhej të paktën barazim kundër Anglisë; çfarëdo barazimi apo humbje e Çekisë kundër Bullgarisë do ta dërgonte Kosovën automatikisht në Evropian, pavarësisht rezultatit kundër Anglisë).

– Nëse Kosova barazon kundër Çekisë, atëherë Kosovës i duhet të paktën barazim kundër Anglisë dhe Çekia duhet të humbë kundër Bullgarisë.

– Nëse Kosova s’e arrin kualifikimin në këtë mënyrë, e ka të siguruar një vend në play-offs, si fitues i Grupit D3 të Ligës së Kombeve. 

(Kosova Sot Online)