Icardi mezi po pret të formojë partneritet me Cavanin: Ai ka shkruar historinë me PSG-në

  • 05 November 2019 - 11:15
Icardi mezi po pret të formojë partneritet me Cavanin: Ai ka shkruar historinë me PSG-në

Mauro Icardi beson se ai mund të shkëlqejë në një partneritet në fazën e sulmit me Edinson Cavanin në Paris Saint-Germain, nëse Thomas Tuchel vendos të luajë me të dy sulmuesit në formacionin e tij të parë.

Pasi arriti marrëveshje të transferohet nga Interi në Paris Saint-Germaini gjatë verës në formë huazimi për një sezon, Mauro Icardi tashmë ka arritur t’i shënonte shtatë gola në të gjitha garat për PSG-në.

Transferimi i tij në fillim të shtatorit erdhi në momentin e duhur për gjigantin francez, pasi që Edinson Cavani e kishte pësuar një lëndim në fillim të sezonit dhe procesi rikuperues do t’i zgjaste plot shtatë javë.

Sulmuesi uruguaian është inkuadruar në lojë nga stoli në dy ndeshjet e fundit të PSG-së në Ligue 1 – përfshirë këtu humbjen tronditëse 2:1 kundër Dijonit – por mirëpo trajneri Tuchel ende s’e ka provuar të luajë edhe me Icardin e edhe me Cavanin në formacionin e parë.

Megjithatë, sipas Icardit, dyshja – që e njohin njëri-tjetrin që nga koha kur të dy kishin luajtur në Serie A – mund të bashkëpunojë shumë mirë bashkë në fazën e sulmit.

“E kam njohur Edin që një kohë të gjatë, ishim në Itali që një kohë të gjatë. Edi është një lojtar i mrekullueshëm që ka shkruar historinë në PSG, ai ka bërë kaq shumë këtu”, ka thënë Icardi në një intervistë të dhënë për RMC.

“Unë dua të kontribuoj këtu, por është trajneri ai që duhet të vendosë se kush duhet të luajë. Që të dy punojmë për të mirën e skuadrës – ia themi këtë njëri-tjetrit vazhdimisht, brenda dhe jashtë fushës”.

“Edi dhe unë jemi dy sulmues, neve na pëlqen të shënojmë gola. Mund të luajmë bashkë nëse trajneri vendos kështu, por nuk na takon neve ta marrim këtë vendim. Në fund të fundit, është trajneri ai që vendos, kjo është puna e tij”.

Edhe pse PSG-ja është me shtatë pikë epërsi në kreun e tabelës së Ligue 1, trajneri Thomas Tuchel është përballur me kritika dhe kërkesa për shkarkimin e tij nga pozita e trajnerit të PSG-së, për shkak të tri disfatave në këtë sezon të ligës franceze. 

(Kosova Sot Online)