Shqipëri-Francë, UEFA heziton të zyrtarizojë “Arenën Kombëtare”

  • 05 November 2019 - 13:59
Shqipëri-Francë, UEFA heziton të zyrtarizojë “Arenën Kombëtare”

FSHF dhe Armand Duka ka dhënë garanci absolute se ndeshja ndaj Francës, më 17 nëntor, do të luhet në “Arena Kombëtare”. Pra, shtëpia e re e kuqezinjve do të inaugurohet atë ditë, ndaj kampionëve të Europës.

Për këtë gjë janë shpërndarë edhe ftesat e shumta për personat VIP, por ka nisur dhe shitja e biletave. Megjithatë, kjo “dasëm e madhe” nuk është çertifikuar dhe konfirmuar ende nga UEFA. Po të shohësh në sajtin e qeverisë europiane të futbollit, për të gjitha kualifikueset e nëntorit janë zyrtarizuar të gjitha detajet, përfshirë edhe stadiumet përkatëse ku do të luhen.

E vetmja ndeshje pa vendzhvillim ende është Shqipëri-Francë. Në fakt, kanë mbetur të sistemohen edhe gjëra të tjera në “Arena Kombëtare”, të luhet aty ndeshja testuese mes femrave të Vllaznisë dhe Apolonisë të dielën që vjen dhe pastaj UEFA do të krijojë bindjen e plotë, nëse mund të luhet aty sfida Shqipëri-Francë më 17 nëntor apo jo.

 Për momentin, konfirmim zyrtar nuk ka, përveç përbetimeve absolute të drejtuesve të futbollit në vendin tonë. Megjithatë, kur bëhet fjalë për një kualifikuese të Kampionatit Europian, ku njërën palë në ndeshje e përbëjnë kampionët e botës, gjërat duhen marrë seriozisht.

Të paktën UEFA ndjek porosinë “mat 100 herë e prij një herë” në kësi rastesh, sigurisht duke marrë parasysh edhe ndonjë tekë të francezëve për sigurinë e gjëra të këtij lloji. Urojmë që Franca, pasi na kyçi derën e hapjes së negociatave me Bashkimin Europian, të shtyjë edhe inaugurimin e “Arena Kombëtare” më 17 nëntor.

Dita e “dasmës” është prerë nga FSHF dhe Duka, ndërkohë që në traditën shqiptare asgjë nuk mund të zhbëhet në kësi rastesh… Ftesa është nisur edhe për vetë presidentin e UEFA-s, Aleksander Ceferin, si njëri nga personat VIP në ceremoninë ianuguruese.

(Kosova Sot Online)