Agjenda e Republikës Çeke para lojës me Kosovën

  • 05 November 2019 - 15:27
Agjenda e Republikës Çeke para lojës me Kosovën

Ekipi kombëtar i Republikës Çeke e ka publikuar agjendën e saj, para ndeshjes me Kosovën, e cila do të zhvillohet më 14 nëntor në Plzen.

Republika Çeke e ka publikuar sot listën e futbollistëve të ftuar për ndeshjet e nëntorit, në kuadër të kualifikimeve për Euro 2020, ndaj Kosovës dhe Bullgarisë.

Ndërkohë, çekët e kanë zbuluar edhe agjendën para ndeshjes së 14 nëntorit me “Dardanët”, e cila konsiderohet edhe si një finale për t’u kualifikuar në Kampionat Evropian.

Federata Çeke e Futbollit njofton se ekipi kombëtar do të grumbullohet më 11 nëntor në Don Giovanni Hotel në Pragë, ndërsa do ta zhvillojë një seancë stërvitore në stadiumin “Viktoria Zizkov” në mbrëmje.

Ekipi çek do të zhvendoset në Plzen të martën në mbrëmje, ndërsa konferenca për shtyp dhe stërvitja e fundit para lojës është paraparë të mbahen të mërkurën.

Kombëtarja e Çekisë më pas do të lëvizë drejt Bullgarisë të shtunën, më 16 nëntor, para ndeshjes që do ta zhvillojë të nesërmen, të dielën e 17 nëntorit ndaj bullgarëve në Sofje.

Kjo ndeshje do të luhet pa praninë e tifozëve pasi UEFA e ka dënuar Bullgarinë me dy ndeshje për shkak të thirrjeve raciste në duel me Anglinë.

Në të njëjtën kohë, më 17 nëntor, Kosova do ta zhvillojë ndeshjen e fundit të kësaj kampanje kualifikuese ndaj Anglisë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

(Kosova Sot Online)