Ndëshkohet Verona e Rrahmanit, pas abuzimeve raciste ndaj Balotellit

  • 05 November 2019 - 16:59
Ndëshkohet Verona e Rrahmanit, pas abuzimeve raciste ndaj Balotellit

Hellas Verona është dënuar me mbylljen e njërës prej tribunave të stadiumit, për shkak të abuzimeve raciste që tifozët e saj i bënë ndaj sulmuesit të Brescia, Mario Balotellit.

Të martën, Komisioni Disiplinor i Federatës së Futbollit të Italisë, e ndëshkoi Veronë – klubin në të cilin po shkëlqen mbrojtësi i Kosovës Amir Rrahmani – për incidentet që ndodhën në ndeshjen e së dielës pasdite kundër Brescia në Stadio Bentegodi.

Balotelli e shkelmoi topin në drejtim të tribunës së tifozëve ultras “Curva”, të cilët u dëgjuan qartë duke lëshuar klithma majmunesh, para se të kërcënonte me largim nga fusha e lojës.

Gjyqtari i takimit e ndërpreu ndeshjen, para se ta ndiqte protokollin. Tifozëve iu lexua një deklaratë në përpjekje për ta zgjidhur problemin.

Bashkëlojtarët dhe lojtarët e Veronës e binden sulmuesin italian të qëndrojë në fushë deri në përfundim të takimit. Super Mario e shënoi një gol të jashtëzakonshëm, por të vonshëm pasi Brescia u mund 2:1 nga Verona.

Pikërisht ajo tribunë, nga ku u abuzua Mario, do të mbyllet për një ndeshje. Kjo tribunë mban 3.590 ulëse.

Megjithatë, tifozët të cilët zotërojnë biletë vjetorë nga ajo tribunë, munden thjesht të blejnë biletë të rregullt në pjesë tjera të stadiumit.

(Kosova Sot Online)