Kane: Tottenhami ende mund ta fitojë titullin e Ligës së Kampionëve

  • 06 November 2019 - 10:09
Kane: Tottenhami ende mund ta fitojë titullin e Ligës së Kampionëve

Kapiteni i Tottenhamit, Harry Kane, beson se skuadra e tij ka ende mundësi për të arritur sukses në Ligën e Kampionëve, përkundër që nuk e kanë nisur në mënyrën më të mirë të mundshme sezonin 2019/20.

Tottenhami i Mauricio Pochettinos e arriti finalen e Ligës së Kampionëve këtë vit, mirëpo tani radhitet në pozitën e 11-të në tabelën e Premierligës, me vetëm tri fitore nga 11 ndeshjet e para të sezonit.

Tottenhami radhitet në pozitën e dytë në Grupin B të Ligës së Kampionëve para se të udhëtojnë për përballjen me Crvena Zvezdën dhe Kane e di se nëse Tottenhami fiton në këtë përballje mund të jetë katër pikë para klubit në vendin e tretë, nëse edhe Bayerni e mposht Olympiacosin në Gjermani.

Kane është gati për këtë ndeshje, pasi mungoi në barazimin e së dielës me rezultat 1:1 kundër Evertonit në kuadër të Premierligës, shkaku i një virusi.

“Ne po e kemi të vështirë të arrijmë fitore. Edhe të dielën, ishim duke fituar me rezultat 1:0, tentuam ta mbajmë epërsinë dhe mund ta kishim marrë një fitore të madhe, por në fund pranuam gol”, tha Kane.

“Ne nuk po arrijmë të jemi bindës deri në fund, s’po e arrijmë këtë qëllim për momentin. S’ka të bëjë asgjë me luftën në shpirtin e skuadrës. Thjesht po kalojmë nëpër një periudhë të tillë. E gjitha që duam ta bëjmë është të tentojmë dhe të përmirësohemi”.

“Natyrisht, kampanja në Ligën e Kampionëve sezonin e kaluar ishte një gjë shumë e mirë për ne. Ne shkuam më tutje sesa që e kishin imagjinuar shumë njerëz. Ne duhet tani ta gjejmë një mënyrë për t’i fituar ndeshjet, jemi këtu për të fituar trofe”.

“Nëse mund ta fitojmë një nga trofetë për të cilat jemi ende në luftë, do ta konsiderojmë sukses.  A mund të shkojmë deri në fund të Championsit? Mendoj se po. Ne ia dëshmuam të kundërtën shumë personave sezonin e kaluar dhe tani jemi në një pozitë më të mirë”.

(Kosova Sot Online)