Pique u kërkon tifozëve të Barcelonës të kenë durim

  • 06 November 2019 - 10:38
Pique u kërkon tifozëve të Barcelonës të kenë durim

Gerard Pique u ka kërkuar tifozëve të Barcelonës të kenë më shumë durim më skuadrën katalonase, pasi ata u ndalën me barazim pa gola nga Slavia Prague të martën në Camp Nou, në kuadër të Ligës së Kampionëve.

Barcelona dështoi t’i kthehet ecurisë së fitoreve pas disfatës me rezultat 3:1 në fundjavë kundër Levantes, duke bërë kështu që të shtohet presioni mbi trajnerin Ernesto Valverde.

Lionel Messi e goditi shtyllën dhe ai dhe bashkëlojtarët e tij shpeshherë mbetën të irrituar me portierin e Slavias Ondrej Klar, i cili e pati një paraqitje mbresëlënëse për skuadrën e tij.

Përballja e së martës ishte hera e parë që katalonasit dështuan të shënojnë në Camp Nou në të gjitha garat që nga shkurti i vitit 2018 – në një ecuri prej 45 ndeshjeve – dhe tani kjo e lë skuadrën e Valverdes të ketë ende punë për të bërë për të pasur sukses në Grupin F.

“Do t’u kërkoja tifozëve të kenë pak durim. E di se tifozët duan më shumë, e kuptojmë këtë. Por, ne jemi duke punuar shumë për t’i gjetur zgjidhjet e duhura, më shumë për mënyrën se si të luajmë sesa për rezultatet”.

“Të gjithë i kanë mendimet e veta. Unë kam kaluar shumë kohë këtu dhe kur tifozët presin që diçka të përmirësohet dhe kjo gjë nuk ndodh, ngjallen shumë kritika”.

“Ne lojtarët jemi duke tentuar t’i zgjidhim këto situata sa më shpejt që të jetë e mundur. Ne duhet të qëndrojmë të qetë, mendoj se jemi në pozitë të mirë. Jemi liderë të La Ligës dhe grupit të Ligës së Kampionëve. Nuk po luajmë aq mirë sa pritnim, duhet të përmirësohemi. Rezultatet s’janë të këqija, mund të kishin qenë më të mira”.

Barcelona është lidere e Grupit F me tetë pikë të grumbulluara nga shtatë ndeshjet e para – një pikë më shumë sesa Dortmundi, katër më shumë sesa Interi dhe gjashtë më shumë sesa Slavia Prague. 

(Kosova Sot Online)