Balotelli sqaron incidentin racist në Veronë: I akuzova vetëm gomarët racistë

  • 06 November 2019 - 10:59
Balotelli sqaron incidentin racist në Veronë: I akuzova vetëm gomarët racistë

Sulmuesi italian Mario Balotelli i ka kritikuar sërish tifozët që bënë thirrje raciste në drejtim të tij gjatë fundjavës, mirëpo e ka theksuar se shumica e tifozëve të Hellas Veronës nuk u ishin bashkuar atyre thirrjeve.

Mario Balotelli, i cili ka qenë cak i shumë sulmeve gjatë karrierës së tij, u bë sërish viktimë e thirrjeve raciste nga tifozët në tribunat e stadiumit gjatë përballjes të së dielës në Seria, në stadiumin Marcantonio Bentegodi në Verona.

Sulmuesi italian reagoi me nervozizëm, duke e goditur topin jashtë fushës, para se të bindej të qëndronte në fushën e lojës nga bashkëlojtarët e tij dhe kundërshtarët.

Pasi një deklaratë u lexua në stadium, ndeshja rinisi dhe Balotelli e shënoi një gol në minutën e 85-të, mirëpo skuadra e tij prapëseprapë pësoi disfatë me rezultat 2:1.

“Ajo që ndodhi të dielën nuk ishte e bukur dhe unë nuk e akuzova Veronën, nuk i akuzova të gjithë tifozët në tribunat e Veronës. I akuzova ata pak idiotë që e bënë atë gjë, i dëgjova”, tha Balotelli në emision italian “Le lene”.

“I akuzova ata pak gomarë racistë dhe kjo është e gjitha. Nuk ishin vetëm dy apo tre sepse unë mund t’i dëgjoja ata qysh nga fusha e lojës”. 

“Unë po e them të vërtetën, stadiumi i Veronës dhe tifozët e Veronës janë gjithashtu të për mirë për mua, me humorin e tyre. Por, nëse ti dëshiron ta shpërqendrosh një lojtar, mund ta bësh atë në një mënyrë më të mirë. Jo kështu, kjo nuk është e mirë”.

“Ata pak persona që e kanë bërë këtë janë gomarë. Thirrjet raciste nuk ishin të mira, nuk kanë qenë kurrë të mira dhe s’do të jenë të mira asnjëherë. Ata janë pak idiotë, por janë gjithmonë aty”.

Verona është dënuar që nga atëherë me një ndeshje pa tifozë si rezultat i kësaj incidenti, përderisa klubi e ka pezulluar liderin e tifozëve ultras, Lucas Castellini, për komentet që ai i kishte bërë pas incidentit.

“Balotelli është italian sepse ai e ka nënshtetësinë italiane, por nuk mund të jetë asnjëherë plotësisht italian. Thirrjet erdhën vetëm prej katër njerëzve dhe ata u dëgjuan vetëm nga njerëzit që e incizuan atë rast. Balotelli e dëgjoi atë vetëm në kokën e tij”, ishte shprehur Castellini.

(Kosova Sot Online)