Ferdinandi kritikon tifozët e Chelseat që e lanë herët ndeshjen kundër Ajaxit

  • 06 November 2019 - 11:35
Ferdinandi kritikon tifozët e Chelseat që e lanë herët ndeshjen kundër Ajaxit

Rio Ferdinandi i ka kritikuar një numër të tifozëve të Chelseat, të cilët u xhiruan duke u largua nga stadiumi “Stamford Bridge” shumë kohë para se të përfundonte ndeshja, kur skuadra e tyre ishte duke humbur 4:1 kundër Ajaxit në Ligën e Kampionëve.

“Të kaltrit” e Frank Lampardit e gjetën veten në deficit prej tre golash në fillim të pjesës së dytë të ndeshjes kundër Ajaxit, kur një numër i tifozëve të Chelseat vendosën të largohen nga stadiumi.

Megjithatë, ndeshja s’kishte qenë as afër rezultatit përfundimtar pasi që Ajaxit iu ndëshkuan dy qendërmbrojtës me karton të kuq dhe Chelsea arriti ta barazojë rezultatin – e madje edhe ta shënojë një gol të fitores, që u anulua nga VAR-i për prekje me dorë.

Ndeshja dramatike ngjalli shumë interesim në botën e futbollit për shkak të dramaticitetit të vet dhe Ferdinandi s’e humbi mundësinë për t’i kritikuar tifozët e Chelseat që u larguan nga stadiumi shumë më herët.

“S’mund ta dalësh ashtu. Shpirti brenda këtij stadiumi dhe mënyra se si klubi i është përgjigjur Frankut, atëherë nuk mund të dalësh nga stadiumi kur je duke humbur me rezultat 4:1”, ka thënë Ferdinand për BT Sport.

Edhe Gary Lineker u pajtua me Ferdinandit, duke shtuar se ata tifozë me siguri do të jenë penduar shumë që u larguan para se të përfundonte ndeshja.

“Ne pamë tifozë duke u larguar nga stadiumi kur rezultati ishte 4:1 dhe ata do të jenë duke thënë tani: “Çfarë bëra? Pse u largova?” Kjo vetëm e dëshmon se në futboll s’dihet asgjë. Ti s’mund të dorëzohesh”, tha Lineker.

(Kosova Sot Online)