Futbollisti kroat shqelmon dhe vret pulën që hyri në fushën e lojës

  • 06 November 2019 - 13:02
Futbollisti kroat shqelmon dhe vret pulën që hyri në fushën e lojës

Futbollisti kroat Ivan Gazdek u ndëshkua me karton të kuq pasi e vrau një pulë që kishte hyrë në fushën e lojës gjatë një ndeshjeje, trupin e së cilës pastaj e gjuajti jashtë rrethojave të fushës.

Gjatë një ndeshjeje gjysmëprofesionale të shtunën pasdite mes NK Jelengradit dhe Jasenovacit, disa pula kishin hyrë në fushën ku po zhvillohej ndeshja.

Në videon e publikuar online shihet se si 23-vjeçari ishte zemëruar shumë me ato pula dhe i kishte ndjekur ato derisa e kishte zënë dhe e kishte shqelmuar njërën prej tyre, që mbeti pa jetë në fushë.

Pulat hynë në lojë kur Jelengradi ishte duke fituar me rezultat 2;1 dhe ndërhyrja  në ndeshje e shkaktoi reagimin e dhunshëm nga Gazdeku.

“Më besoni, nuk ishte e qëllimshme. Rezultati nuk ishte aspak i sigurtë në ato momente dhe ndeshja u desh të ndalet. Terreni ishte plot me fekale, këto janë kushte johigjienike”, u shpreh Gazdek, pas ndeshjes në të cilën u ndëshkua me karton të kuq.

“Unë vrapova drejt pulave për t’i frikësuar ato, e lëviza këmbën dhe e vrava njërën në mënyrë aksidentale, ta hajë dreqi”. 

(Kosova Sot Online)