Napoli nis padi ligjore kundër lojtarëve të vet

  • 06 November 2019 - 15:30
Napoli nis padi ligjore kundër lojtarëve të vet

Klubi italian Napoli e ka lëshuar një deklaratë për media ku është bërë e ditur se klubi do të nisë padi ligjore ndaj futbollistëve të skuadrës së vet, pasi që ata s’i pranuan urdhrat e presidentit Aurelio De Laurentiis.

Skuadra e Napolit ishte urdhëruar të qëndrojë e bashkuar për ta nisur një kamp stërvitor deri në ndeshjen e së shtunës kundër Genoas në Serie A, mirëpo lojtarët u rebeluan pas barazimit të mbrëmshëm me Salzburgun në Ligën e Kampionëve.

Në vend se t’i zbatonin urdhrat e presidentit të klubit, lojtarët shkuan të gjithë në shtëpitë e tyre dhe trajneri Carlo Ancelotti refuzoi të flasë për mediat, përfshirë këtu takimet e organizuara nga UEFA që e ka për detyrë t’i mbajë sipas kontratës.

“Klubi lajmëron që, në lidhje me sjelljen e lojtarëve dje, do të nisë me një proces për t’i mbajtur të drejtat e veta ekonomike, kapitale, të imazhit dhe disiplinore në autoritet kompetent”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga klubi.

“Përgjegjësia për të vendosur për ditët e grumbullimit është e trajnerit Carlo Ancelotti. Klubi është në heshtje shtypi deri në një datë të pacaktuar”.

Raportohet se presidenti Laurentiis e zhvilloi një bisedë njëorëshe me trajnerin Ancelotti, pas seancës stërvitore të sotme.

Avokatët i kanë paralajmëruar lojtarët se ata mund të ndëshkohen me pesë për qind të pagës së tyre për shkak të rebelimit. 

(Kosova Sot Online)