Juventusi e humb betejën e fundit ligjore për t’ia marrë Interit titullin e 2006-es

  • 06 November 2019 - 22:39
Juventusi e humb betejën e fundit ligjore për t’ia marrë Interit titullin e 2006-es

Juventus ka humbur edhe betejën e fundit ligjore për t’i hequr Interit titullin e vitit 2006, teksa Kolegji i Garancive Sportive në Itali ka vendosur të rrëzojë padinë e bardhezinjve kundër zikaltërve dhe CONI-t.

Për më tepër, ky kolegj ka vendosur që t’i ngarkojë klubit të drejtuar nga Andrea Agnelli edhe shpenzimet e procesit gjyqësor, që kapin shifrën e 10 mijë eurove, që gjithsesi është e papërfillshme për bardhezinjtë.

Titulli I vitit 2006 iu hoq Juventusit pas procesit të “Calciopolit” dhe iu dha Interit, që mbylli atë sezon në vendin e dytë.

Që prej asaj kohe bardhezinjtë kanë provuar të gjitha rrugët ligjore, që të bëjnë nul titullin e atij sezoni, ashtu siç u bë me atë të një viti më parë.

(Kosova Sot Online)