Milosevic thotë se Serbia s’është raciste, edhe pse Partizani, Zvezda dhe Kombëtarja serbe u ndëshkuan për këtë

  • 07 November 2019 - 11:25
Milosevic thotë se Serbia s’është raciste, edhe pse Partizani, Zvezda dhe Kombëtarja serbe u ndëshkuan për këtë

Serbia nuk ka problem me racizmin, sipas trajnerit të Partizanit të Beogradit, Savo Milosevic, pavarësisht se UEFA i ka dënuar Kombëtaren serbe, Crvena Zvezdën dhe Partizanin për sjellje raciste të tifozëve serbë nëpër stadiumet e tyre.

Organi qeverisës i futbollit evropian, UEFA, e urdhëroi Partizanin në muajin gusht t’i zhvillojë dy ndeshje prapa dyerve të mbyllura si masë ndëshkuese për shkak të sjelljeve raciste të tifozëve të tij.

Po ashtu, Crvena Zvezda dhe ekipi kombëtar i Serbisë u përballen me sanksione për racizëm në muajin e fundit.

“Mund t’ju them sinqerisht, ne nuk kemi problem me racizmin”, tha trajneri i Partizanit Milosevic.

Savo Milosevic

“Në ministrinë tonë ne nuk e kemi ndonjë komision që merret me këtë problem, sepse nuk ekziston ndonjë problem i tillë në vendin tonë”, këmbënguli ai.

Kur BBC Sport i tha Milosevicit se stadiumi i skuadrës së tij ishte mbyllur për shkak të abuzimeve raciste, të cilat ndodhën në një ndeshje kualifikuese për Evropa Ligë kundër Yeni Malatyaspor, ai u përgjigj: “Nuk ndodhi për shkak të racizmit. Nuk keni lexuar mirë”.

Duke folur para ndeshjes së Partizanit kundër Manchester Unitedit në Evropa Ligë në Old Trafford të enjtën, Milosevic shtoi: “Siç kam thënë shumë herë, ne nuk kemi problem me racizëm në Serbi”.

Kombëtarja e Serbisë është urdhëruar nga UEFA që ndeshjen e ardhshme kualifikuese për Euro 2020 kundër Luksemburgut ta zhvillojë prapa dyerve të mbyllura, pra pa tifozë, për shkak të sjelljeve raciste të serbëve në humbjen kundër Portugalisë në shtator. 

(Kosova Sot Online)