Lista e Shqipërisë për ndeshjet e nëntorit – pritet kthimi i Taulant Xhakës

  • 08 November 2019 - 10:05
Lista e Shqipërisë për ndeshjet e nëntorit – pritet kthimi i Taulant Xhakës

Kombëtarja e Shqipërisë tani më s’ka gjasa ta sigurojë kualifikimin në Kampionatin Evropian 2020 përmes fazës së grupeve. Megjithatë, kuqezinjtë do të grumbullohen sërish këtë muaj, për dy ndeshjet e nëntorit.

Shqipëria do t’i zhvillojë dy ndeshjet e fundit në kuadër të Grupit H gjatë dy javëvë në vijim – fillimisht kundër Andorrës më 13 nëntor, e pastaj do të luajë sërish në shtëpi kundër Francës më 17 nëntor.

Lista e lojtarëve të ftuar nga Shqipëria për këto dy ndeshje pritet të bëhet publike së shpejti, mirëpo “Sport Ekspres” i ka zbuluar disa nga të besuarit e trajnerit Edy Reja.

Ky medium më parë kishte bërë të ditur se Myrto Uzuni nuk do të jetë pjesë e listës së parë, ndërsa pritet ende të shihet nëse do të jetë në listën e pritjes.

Gjithashtu pak dilema mbeten mbi debutimin e ri, Florian Kamberin, nëse dokumentacionet do të mbyllen brenda kohës.

Për të vazhduar më tej, Lindon Selahi e ka konfirmuar për vetë faqen zyrtare të klubit se do të jetë pjesë e Shqipërisë në këto dy takime.

“Sport Ekspres” ka zbuluar edhe dy detaje të reja me burimet tona pranë lojtarëve, atje ku Taulant Xhaka dhe Taulant Seferi kanë ndërruar vendet në një farë mënyre, nisur nga lista e fundit, pavarësisht se me rolet e tyre janë të ndryshme.

Xhaka ishte në listën e pritjes dhe Seferi ishte në listën e parë. Këtë herë do të jetë e kundërta, teksa mesfushori i Baselit e ka marrë ftesën për listën e parë, ndërsa talenti Seferi do të jetë në listën e pritjes.

(Kosova Sot Online )