Zbulohet lista e lojtarëve që Interi do t’i transferojë në janar

  • 08 November 2019 - 10:58
Zbulohet lista e lojtarëve që Interi do t’i transferojë në janar

Interi raportohet se do të tentojë t’i transferojë Olivier Giroudin, Dejan Kulusevskin dhe Matteo Darmian gjatë afatit kalimtar të janarit, ndërsa një transferim për Arturo Vidalin duket me më pak gjasa.

Interi pritet të jetë njëra ndër klubet më aktive gjatë afatit kalimtar të dimrit, pasi që trajneri Antonio Conte i ka kritikuar së fundi drejtuesit e klubit për planifikim të dobët gjatë verës.

Sipas Gazzetta dello Sport, Giroud tashmë është duke mbajtur bisedime me zikaltrit dhe ai e ka dhënë aprovimin e tij për të luajtur si opsion i dytë pas Romelu Lukakus.

Kontrata e francezit përfundon në fund të këtij sezoni dhe ai nuk po gjen vend në skuadrën e Chelseat. Conte e njeh 33-vjeçarin mirë, pasi që kishte qenë trajneri i Chelseat kur francezi erdhi nga Arsenali në janar të vitit 2018.

Edhe pse ai ka pagë prej tetë milionë eurosh në vit, kjo pagë mund të ulet nëse arrihet marrëveshje me të dy apo trevjeçare.

Megjithatë, po e njëjta gazetë italiane beson se Interi është interesuar edhe dyshen e Parmës – 19-vjeçarin Kulusevski dhe mbrojtësin Darmian.

Kulusevski ishte bërë më i njohur gjatë kohës së tij i huazuar në Atalanta, duke i shënuar dy gola dhe duke i bërë pesë asiste. Ndërsa, Darmian mund t’i ndihmojë Contes pasi që ai mund të luajë kudo në mbrojtje dhe si mesfushor anësor.

Në anën tjetër, Calciomercato raporton se zikaltrit preferojnë ta transferojë një mesfushor më të ri në moshë sesa Vidali gjatë janarit. Kiliani ka qenë duke flirtuar me Interin, mirëpo drejtuesit e klubit s’janë të bindur për transferimin e tij. 

(Kosova Sot Online)