Suarez e këshillon Alenan të largohet: Barcelona s’është gjithçka

  • 08 November 2019 - 11:55
Suarez e këshillon Alenan të largohet: Barcelona s’është gjithçka

Carles Alena s’duhet ta pranojë një rol të vogël në skuadrën e Barcelonës dhe duhet t’i shqyrtojë edhe opsionet e tjera për ta vazhduar karrierën e tij diku tjetër, sipas ish-futbollistit të katalonasve, Dennis Suarezit.

21-vjeçari Carles Alena s’ka pasur rol të rëndësishëm në skuadrën e Barcelonës deri më tani në këtë sezon, përkundër që një numër i lojtarëve të ekipit të parë u lënduan në fillim të sezonit 2019/20.

Mesfushori e bëri një paraqitje të vetme në La Liga dhe tani ai duket i tepërt në skuadrën e Barcelonës, pasi që edhe vetë trajneri Ernesto Valverde e ka pranuar se futbollisti meriton të luajë më shumë minuta.

Një largim i mundshëm është spekuluar t’i jetë ofruar Alenas nga Tottenhami, që është i interesuar ta huazojë futbollistin nga Barcelona gjatë afatit kalimtar të janarit.

Suarezi e di shumë mirë se si është të jesh nën hije në Katalonjë, pasi ai i kaloi pothuajse tre vjet në Barcelona pa e fituar asnjëherë vendin e titullarit. Ai nuk hezitoi ta këshillojë ish-bashkëlojtarin e tij të largohet nga Barcelona.

“Alena është i ri dhe ai nuk është duke i marrë minutat që mund t’i kishte shpresuar pasi që Barcelona është një klub me shumë lojtarët të talentuar dhe më së shumti cilësi kanë në repartin e mesfushës”, ka thënë Suarez, që tani luan për Celta Vigon.

“Ka shumë lojtarë të talentuar në atë skuadër, kështu që ai duhet ta marrë një vendim: A do të rrezikojë duke qëndruar apo do ta kërkojë një zgjidhje përmes transferimeve ose huazimeve”.

“Unë e di se si është ta kalosh një sezon të plot pa luajtur dhe nuk është një ndjenjë e mirë. Çdo lojtar dëshiron të luajë dhe unë e di se si është ta bësh këtë çdo javë, edhe nëse gjërat nuk po shkojnë mirë dhe kjo më bën të lumtur”.

“Ai është personi që duhet të vendosë, por unë do t’i them atij se Barcelona nuk është gjithçka në futboll, ai mund të largohet, të jetë mbresëlënës dhe të kthehet. Ose ndoshta e kundërta. Ai mund të qëndrojë, të fillojë të luajë dhe ta fitojë vendin e tij. Nuk mund ta dish kurrë”. 

(Kosova Sot Online)