Pochettino insiston se Tottenhamit i duhet kohë: Jemi kthyer pesë vjet prapa

  • 09 November 2019 - 09:27
Pochettino insiston se Tottenhamit i duhet kohë: Jemi kthyer pesë vjet prapa

Trajneri i Tottenhamit, Mauricio Pochettino, ka thënë se skuadra e tij është në pozitë të ngjashme tani me atë në të cilën ishin para pesë vjetëve, kur argjentinasi e mori drejtimin e klubit. Megjithatë, ai ka insistuar se skuadrës së tij duhet t’i jepet më shumë kohë për ta përmirësuar këtë situatë.

Tottenhami e ka bërë një hap prapa në aspektin e paraqitjeve dhe rezultateve deri më tani në këtë sezon, duke fituar në vetëm tri nga 11 ndeshjet e zhvilluara në kuadër të Premierligës. Kjo ka bërë që londinezët ta gjejnë veten në pjesën e poshtme të tabelës.

Dy fitoret e tyre të para në kuadër të ndeshjeve të vlefshme për fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve kanë sjellë pak pozitivitet në klub gjatë kohës së fundit dhe Pochettino dëshiron ta theksojë se skuadra e tij është në fazë tranzicionale.

“Ne jemi kthyer pesë vjet prapa sa i përket pozitës tonë, situatës që e kemi dhe gjërave të tilla, kështu që do të na duhet më shumë kohë”, ka thënë Pochettino, para përballjes të skuadrës së tij të kësaj fundjave kundër Sheffield Unitedit.

“Ne nuk mund ta çojmë klubin përpara në këtë mënyrë, s’mund ta shpejtojmë kohën para – ky është problemi. Është një proces i natyrshëm. Ne vetëm duhet të qëndrojmë të qetë dhe të punojmë shumë sepse nuk ka mënyrë tjetër për ta ndryshuar këtë dinamikë. Është ndryshe nga si ishte para pesë vjetëve, por ka shumë ngjashmëri”.

“Është e vështirë të flasësh tani sepse unë nuk dua të flas për gjëra negative. Unë ju premtoj që sapo të përmirësohet gjithçka, unë do t’ua sqaroj të gjitha juve. Unë dua të jem pozitiv sepse shenjat në javët e fundit kanë qenë pozitive”.

Pochettino gjithashtu beson se është shumë herët për ta përjashtuar Tottenhamin nga gara për top katërshe të Anglisë, përkundër fillimit të dobët në këtë sezon. Për ta dëshmuar se janë ende në këtë garë, londinezët do të tentojnë ta mposhtin Sheffield Unitedin këtë fundjavë. 

(Kosova Sot Online )