Pësoi lëndim të lehtë, zbulohet a do të luajë Muriqi për Kosovën këtë muaj

  • 10 November 2019 - 09:11
Pësoi lëndim të lehtë, zbulohet a do të luajë Muriqi për Kosovën këtë muaj

Përkundër që pësoi lëndim të lehtë dhe tha se ka nevojë të pushojë, sulmuesi Vedat Muriqi do t’i bashkohet Kombëtares së Kosovës të hënën, për dy ndeshjet vendimtare me Çekinë dhe Anglinë.

Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës, Vedat Muriqi ka vazhduar t’i impresionojë të gjithë me paraqitjet në Superligën e Turqisë. Ai realizoi dy herë në fitoren 3-2 të Fenerbahçes kundër Kasimpasas, të premten.

Por, pak ditë para ndeshjeve të Kosovës me Çekinë dhe Anglinë, ku do të mësohet përfundimisht nëse ‘Dardanët’ do të shkruajnë historinë duke u kualifikuar në ‘Euro 2020’, u vë në dyshim se a do të ishte në 100 për qind të formës së tij Muriqi.

Sulmuesi kosovar luajti 90 minuta kundër Kasimpasas, por u largua nga fusha me disa shqetësime të vogla. Raportohej se Muriqi e kishte ndrydhur kyçin e këmbës dhe, sipas tij, do t’i duhen disa ditë pushim. 

Ndërsa zëvenëstrajneri i Kosovës, Muharrem Sahiti, tha për Supersport se Muriqi do të vijë për ta ndihmuar Kosovën në këto ndeshje të rëndësishme.

“Kam biseduar sot dy herë me Vedatin, ka thënë që do të vijë. Edhe pse ka pak dhimbje, por besoj që nuk do të jetë problem” – tha Sahiti.

Kosova do t’i zhvillojë dy ndeshje vendimtare për fatin e saj në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2020 gjatë dy javëve të ardhshme – kur më 14 nëntor do ta vizitojë Çekinë e tre ditë më vonë do ta presë Anglinë në “Fadil Vokrri”.

Për momentin, Kosova radhitet në pozitën e tretë në Grupin A me 11 pikë të fituara nga gjashtë ndeshjet e para – një më pak sesa Çekia dhe katër më pak sesa Anglia.

Kosova duhet të ngrihet të paktën në pozitën e dytë në tabelën e Grupit A për ta arritur kualifikimin në Kampionatin Evropian përmes fazës së grupeve. Më poshtë mund t’i lexoni rezultatet që i duhen Kosovës në dy ndeshjet e nëntorit – kundër Çekisë dhe Anglisë, për ta siguruar kualifikimin.

– Kosova eliminohet nëse humb kundër Republikës Çeke.

– Nëse Kosova e mposht Çekinë, atëherë mund t’i duhet barazimi kundër Anglisë varësisht nga rezultati i ndeshjes Bullgari – Çeki (nëse Çekia fiton kundër Bullgarisë, Kosovës do t’i duhej të paktën barazim kundër Anglisë; çfarëdo barazimi apo humbje e Çekisë kundër Bullgarisë do ta dërgonte Kosovën automatikisht në Evropian, pavarësisht rezultatit kundër Anglisë).

– Nëse Kosova barazon kundër Çekisë, atëherë Kosovës i duhet të paktën barazim kundër Anglisë dhe Çekia duhet të humbë kundër Bullgarisë.

– Nëse Kosova s’e arrin kualifikimin në këtë mënyrë, e ka të siguruar një vend në play-offs, si fitues i Grupit D3 të Ligës së Kombeve.

(Kosova Sot Online)