Tuchel: Cavani duhet të garojë me Icardin për një vend në formacionin e PSG-së

  • 10 November 2019 - 10:38
Tuchel: Cavani duhet të garojë me Icardin për një vend në formacionin e PSG-së

Trajneri i Paris Saint-Germainit, Thomas Tuchel, ka thënë se Edinson Cavani duhet të mësojë se si ta menaxhojë konkurrencën me Mauro Icardin për ta zënë një vend në pozitën e qendërsulmuesit në formacionin e parë të skuadrës.

Edinson Cavani ishte titullar për Paris Saint-Germainin për herë të parë që nga 25 gushti në fitoren e së shtunës me rezultat 2:1 kundër Brestit, mirëpo ai nuk arriti ta dëshmojë veten në ndeshjen e zhvilluar në Stade Francis-Le Ble.

Ai u zëvendësua në minutën e 80-të të ndeshjes nga Icardi, i cili e shënoi golin e fitores vetëm pesë minuta pasi hyri në lojë, pasi Samuel Grandsir e kishte barazuar rezultatin. Fillimisht kishte kaluar në epërsi PSG-ja përmes Angel Di Marias. 

Tuchel e pranoi se Cavani nuk ishte në formën e tij më të mirë në ndeshjen kundër Brestit dhe e ka sfiduar uruguaianin të vazhdojë të garojë për një vend në fazën e sulmit.

“Nuk është e lehtë për një sulmues të luajë kundër kësaj skuadre këtu. Cavanit i mungoi ritmi dhe ai duhet menaxhojë konkurrencën. Kështu e ka puna e tij. Është gjithmonë e vështirë për një sulmues, është një pozitë shumë e ndjeshme”, ka thënë Tuchel.

“Por, ne nuk kemi asnjë opsion tjetër përveç se ta pranojmë këtë situatë dhe të punojmë shumë. Nganjëherë ti je në një fazë dhe ndihesh mirë. Ke pak fat dhe gjithçka të shkon  në mënyrë të përsosur – Mauro është në këtë fazë”.

(Kosova Sot Online)