“Ozili duhet të jetë qershia mbi tortë… por Arsenali s’ka tortë”

  • 10 November 2019 - 13:47
“Ozili duhet të jetë qershia mbi tortë… por Arsenali s’ka tortë”

Legjenda e Arsenalit, Tony Adams, i ka dalë në mbrojtje mesfushorit gjerman me origjinë turke, Mesut Ozilit, duke thënë se bordi i klubit duhet ta  marrë një pjesë të madhe të fajit për gjendjen aktuale të skuadrës.

“Topçinjtë” e Londrës radhiten në pozitën e gjashtë në tabelën e Premierligës, me tetë pikë larg top katërshes së Anglisë, që e garanton kthimin në sezonin vijues të Ligës së Kampionëve. 

Skuadra e Unai Emeryt e mori goditjen e fundit të shtunën, kur u mposht me rezultat 2:0 nga Leicester City, duke e dërguar ecurinë e ndeshjeve pa fitore të klubit londinez në pesë të tilla. 

“Ne shkuam në Leicester dhe e morëm atë që e prisnim. Kur e ke një mentalitet të tillë, këto rezultate janë pothuajse infektive”, ka thënë Adams, në një intervistë të dhënë për Sky Sports.

“Rekrutimi i lojtarëve nuk ka qenë i mirë që disa vite. Trajneri do të duhet të jetë duke i shkulur flokët. Mendoj se është shumë e lehtë ta fajësojmë Unai Emeryn. Ai është duke e bërë më të mirën me lojtarët që i ka. Mendoj se Arsenali e ka një problem më të madh sesa trajnerin”.

Ndërkohë, Ozili ka qenë lojtari që ka ngjallur më së shumti debat gjatë viteve të fundit në mesin e tifozëve të Arsenalit. Kjo është intensifikuar kohët e fundit, pasi që Emery s’po i beson lojtarit e disa tifozë mendojnë se ai duhet të jetë titullar.

“Ai duhet të jetë qershia mbi tortë – por Arsenali s’ka tortë!”.

(Kosova Sot Online)