Liverpool e fiton derbin dhe shkon në +9 ndaj Man City

  • 10 November 2019 - 19:38
Liverpool e fiton derbin dhe shkon në +9 ndaj Man City

Nëntë pikë më shumë se Manchester City, Liverpooli po vazhdon formën e mirë në Premierligë

Derbi i xhiros së 12-të në Premierligë është zhvilluar mes rivalëve kryesor për titull, Liverpoolit dhe Manchester City.

Në fund, kanë triumfuar vendasit, djelmoshat e Jurgen Klopp, me rezultat 3-1, për të shkuar në +9 diferencë me skuadrën e Pep Guardiolës në renditjen e Premierligës.

Liverpooli e nisi furishëm ndeshjen në një atmosferë fantastike në ‘Anfield’.

Fabinho zhbllokoi rezultatin me një gol të bukur në minutën e gjashtë.

Për 2-0 shënoi sulmuesi, Mohamed Salah, në minutën e 13-të, që doli të jetë rezultati përfundimtar i pjesës së parë.

Me të filluar pjesa e dytë, në minutën e 51-të, golin e gjeti edhe Sadio Mane.

Më pas, Liverpooli disi u qetësua dhe në minutën e 78-të Bernardo Silva ngushtoi epërsinë në 3-1, por që doli të jetë goli i nderit për mysafirët.

Pas kësaj fitore kundër rivalit për titull, Liverpool ka shkuar në kuotën e 34 pikëve, tetë më shumë se Leicester City dhe Chelsea në pozitat 2 dhe 3 me nga 26 pikë dhe 9 më shumë se Manchester City në pozitën e katërt. 

(Kosova Sot Online)