Kosova i nis sot përgatitjet për ta shkruar historinë

  • 11 November 2019 - 10:01
Kosova i nis sot përgatitjet për ta shkruar historinë

Ekipi kombëtar i Kosovës do të grumbullohet sot për stërvitjen e parë në prag të dy ndeshjeve përfundimtare në fushatën e parë kualifikuese për Euro 2020, pas të cilave vendi mund ta shkruajë historinë duke u kualifikuar në Kampionatin Evropian mu në tentimin e parë.

Trajneri i verdhekaltërve, Bernard Challandes, do të flasë në një konferencë për media në orën 11:00 në Prishtinë, para se pasdite ta nxjerrë skuadrën në stërvitje në stadiumin Fadil Vokrri.

Duke qenë vetëm një pikë larg vendit të dytë, Republikës së Çekisë, në Grupin A kualifikues, Kosova ende mban shpresa të mëdha për ta siguruar pjesëmarrjen në garën e verës së ardhshme, veçanërisht duke e ditur se do të luajë kundër rivalit të drejtpërdrejt për këtë pozitë në njërën prej dy ndeshjeve të mbetura.

Ndër arsyet për të shpresuar është edhe forma e mirë e disa prej lojtarëve kyçë të Kombëtares, siç janë Vedat Muriqi, Milot Rashica, Amir Rrahmani e Fidan Aliti, të cilët kanë bërë paraqitje mbresëlënëse për klubet e tyre përkatëse në javët e fundit.

Challandes do t’i ketë të gjithë në dispozicion, përveç dyshes që i ka munguar ekipit tash e një kohë të gjatë: Arbër Zenelit dhe Hekuran Kryeziut.  

Kombëtarja dardane do t’i kryejë dy stërvitje në kryeqytet, para se të udhëtojë drejt Pragës për t’u përballur me Çekinë të enjten në mbrëmje.

Tri ditë më vonë, të dielën pasdite, Kosova e pret Anglinë në një takim që mund të jetë finale apo ndeshje prestigji, varësisht rezultatit paraprak ndaj çekëve.

Kosovës i duhet fitorja më patjetër të enjten, sepse humbja e dërgon Çekinë dhe po ashtu Anglinë drejtpërdrejt në Evropian. Barazimi e mban matematikisht në garë për kualifikim në ndeshjen e fundit, por me gjasa skajshmërisht të vogla për kualifikim.

Anglia do ta sigurojë kualifikimin së paku me një barazim kundër Malit të Zi dhe pritet ta vizitojë Prishtinën si kombëtare e kualifikuar tashmë.

Fitorja kundër Çekisë dhe të paktën një barazim kundër Anglisë apo dështimi i Çekisë kundër Bullgarisë në ndeshjen e fundit, do ta dërgonte Kosovën në Evropian mu në përpjekjen e saj të parë dhe më pak se katër vjet pas pranimit në UEFA dhe FIFA.

Por Kosova do ta ketë një mundësi të dytë dhe përfundimtare për kualifikim në Evropian, nëse dështon ta bëjë përmes rrugës tradicionale, atë përmes play-off në Ligën e Kombeve.

Si fituese e D3 në edicionin inaugurues të Ligës së Kombeve, Kosova është në gjysmëfinale, ku në mars do të takohej me Maqedoninë e Veriut dhe në rasti triumfi, do ta zhvillojë edhe një ndeshje finale kundër fituesit të çiftit tjetër gjysmëfinal mes Bjellorusisë dhe Gjeorgjisë.

(Kosova Sot Online )