Tre lojtarë kyçë të Kosovës në dyshim për ndeshjen me Çekinë

  • 11 November 2019 - 12:25
Tre lojtarë kyçë të Kosovës në dyshim për ndeshjen me Çekinë

Tre lojtarë të Kosovës, përfshirë sulmuesin kryesor Vedat Muriqin, janë në dyshim për ndeshjen kualifikuese për Kampionatin Evropian 2020 kundër Republikës së Çekisë të enjten, ka konfirmuar trajneri i Kombëtares verdhekaltër, Bernard Challandes.

Vedat Muriqi, Herolind Shala dhe Leart Paqarada janë duke u përballur me lëndime jo serioze, prandaj nuk dihet sigurt nëse do të jetë të gatshëm për ndeshjen e së enjtes, ka zbuluar Challandes të hënën në një konferencë për media në Prishtinë.

Sulmuesi Muriqi ndjeu një shqetësim në kyçin e këmbës në fitoren 3:2 të Fenerbahçes kundër Kasimpasa, në të cilën i shënoi dy gola dhe luajti 90 minuta. 

 “Vedat Muriqi ka luajtur në Rizespor, por e tregoi nivelin e tij edhe në Fenerbahçe. Ka pasur ndikim pozitiv transferimi i tij te Feneri. Jemi të kënaqur me zhvillimin e tij. Ai është paksa i lënduar, po flasim me të. Ka dhimbje, por është më mirë. Shpresojmë që deri të enjten të jetë OK.

Ai foli edhe për mesfushorin Shala dhe mbrojtësin e majtë Paqarada.

“E kemi një problem me Shalën, ta shohim nëse do të jetë gati, do ta shohim situatën. Ai dëshiron të luajë dhe të shohim. Edhe Paqarada është lënduar, por sot nuk do të ushtrojë, do të pushojë, kështu ka kërkuar klubi i tij. Do ta shohim nesër se si do të reagojë. Me të tjerët jemi OK, nuk ka probleme”, shtoi Challandes.

(Kosova Sot Online)