Ronaldo e thyen heshtjen, pasi u largua i tërbuar nga stadiumi para përfundimit të ndeshjes

  • 11 November 2019 - 14:35
Ronaldo e thyen heshtjen, pasi u largua i tërbuar nga stadiumi para përfundimit të ndeshjes

Cristiano Ronaldo e ka thyer heshtjen, pasi u largua nga stadiumi para se të përfundonte ndeshja mes Juventusit dhe Milanit në Allianz Stadium në Torino. Ai, megjithatë, do t’i shpëtojë gjobës.

Trajneri Maurizio Sarri vendosi ta nxjerr nga loja Ronaldon pas vetëm 55 minutave lojë në fitoren e Juventusit 1:0 kundër Milanit të dielën mbrëma.

Paulo Dybala e shënoi golin vendimtar në kurriz të superyllit portugez, i cili u pa duke e braktisur stadiumin para se ndeshja të përfundonte.

Sarrit iu desh ta mbronte Ronaldon gjatë konferencës për media pas ndeshjes, duke thënë se skuadra e tij mund vetëm ta falënderojë numrin 7 për kontributin sepse kishte luajtur me dhimbje.

Megjithatë, 34-vjeçari duket se e ka bërë të qartë se ky incident është lënë pas me një postim në rrjetet sociale.

“Ndeshje e vështirë, fitore e rëndësishme!”, shkroi Ronaldo në Instagram, me një hashtag “FinoAllaFine” dhe pa e përmendur incidentin.

Pas postimit të tij, Goal.com raportoi se bardhezinjtë nuk do ta ndëshkojnë Ronaldon për veprimet e tij. 

(Kosova Sot Online)