Flamurtari e mund Dukagjinin me rikthim, Vushtrria fiton ndaj Ferizajt

  • 11 November 2019 - 15:17
Flamurtari e mund Dukagjinin me rikthim, Vushtrria fiton ndaj Ferizajt

Flamurtari e ka mposhtur me rikthim 2:1 Dukagjinin, ndërkohë qe Vushtrria e mundi bindshëm 3:1 Ferizajn të dy duelet e drejtpërdrejta mes katër skuadrave që po luftojnë për t’i ikur zonës së rënies nga Ipko Superliga.

Edhe pse po humbiste për më shumë se një orë lojë pas golit të Mark Milicaj për vendasit, Flamurtari u rikthye dhe fitoi falë golave nga Shend Kelmendi dhe Gentrit Begolli, të hënën në Klinë.

 

Milicaj e kishte kaluar në epërsi Dukagjinin nga penalltia pas gjysmë ore lojë, por Kelmendi i barazoi shifrat, po ashtu nga penalltia, para se Begolli t’i trondiste vendasit me një supergol nga largësia.

Me këto tri pikë, Flamurtari renditet e 9-ta dhe shkon në kuotën e 15 pikëve, tri më shumë se Vushtrria dhe pesë më pak se Trepça ’89 në vendin e  8-të, i cili është i fundit që siguron mbijetesën në ligën elitare kosovare.

Dukagjini, ndërkohë, ngel i fundit me vetëm 8 pikë.

Ndërkohë, në ndeshjen tjetër të mbetur nga java e 15-të, Vushtrria e mundi 3:1 Ferizajn, duke u kthyer te fitorja pas dy humbjeve radhazi në një luftë të vështirë për mbijetesë.

Bashkim Shala e kalo në epërsi 1:0 Vushtrrinë në minutën e 49-të duke realizuar nga penalltia, para se Raboshta të dyfishonte epërsinë në minutën e 64-të.

Një çerek lojë para fundit, Rabshota asistoi për De Sousan, i cili e vulosi triumfin e vendasve me golin e tretë në ndeshje.

Ferizaj shënoi golin e vetëm në këtë ndeshje, por tepër vonë, kur Fatih Karahoda realizoi me kokë në minutën e 82-të.

Vushtrria tani barazohet me pikë me Ferizjan, secila nga 12, në pozitat 10 dhe 11, në një luftë të ashpër për mbijetesë. 

(Kosova Sot Online)