Sterling kërkon falje për përleshjen me bashkëlojtarin në prag të ndeshjes me Kosovën

  • 12 November 2019 - 09:31
Sterling kërkon falje për përleshjen me bashkëlojtarin në prag të ndeshjes me Kosovën

Raheem Sterling e ka pranuar se nuk kishte mundur t’i kontrollonte emocionet gjatë një përleshjeje me bashkëlojtarin e vet Joe Gomez, e cila i kushtoi me përjashtim nga skuadra e Anglisë për ndeshjen kualifikuese për Euro 2020 kundër Malit të Zi të enjten.

Sterling nuk do të luajë kundër Malit të Zi pas zënkës me Gomezin e Liverpoolit të hënën në stërvitjen e “Tre luanëve”, por do të mbetet i grumbulluar me Kombëtaren, pasi Anglia e viziton Kosovën të dielën për ndeshjen finale të Grupit A.

Sterling dhe Gomez u kacafyten kah fundi i fitores së Liverpoolit 3:1 kundër Man City të dielën në Premierligë dhe zënkën e vazhduan edhe pasi u grumbulluan nga Kombëtarja e Anglisë.

Përleshja e së hënës në stërvitje me “Tre luanët” i ka kushtuar Sterlingut me humbjen e mundësisë për të luajtur të enjten kundër Malit të Zi në Wembley.

Anglia do të kualifikohet në Kampionatin Evropian të vitit 2020 të paktën me një barazim me Malin e Zi të enjten.

Pas tri ditësh, Anglia e viziton Kosovën në ndeshjen përmbyllëse të Grupit A kualifikues dhe nuk dihet nëse Sterling do të luajë.

Nuk janë bërë publiket detajet e incidentit, por Federata e Futbollit e Anglisë ka konfirmuar se Sterling do të mbetet me skuadrën.

“Së pari, të gjithë e dinë se çfarë do të thotë ajo ndeshje për mua! Të gjithë e dinë se unë nuk jam i prirë për gjëra të tilla dhe më e rëndësishmja, unë dhe Joe kemi biseduar dhe i kemi zgjidhur problemet dhe kemi vendosur të vazhdojmë përpara”, shkroi Sterling në Instagram.

“Ne jemi në një sport ku emocionet janë të mëdha dhe unë jam mjaftë burrë për ta pranuar se emocionet më mposhten mua. Vazhdojmë përpara, ne e luajmë këtë sport sepse e dashurojmë. Unë dhe Joe jemi në rregull dhe të dy e kuptojmë se ishte një gjë 5-10 sekondash. Të ecim përpara dhe mos ta bëjmë më të madhe seç është këtë çështje”, theksoi ai.

“Të përqendrohemi te loja jonë të enjten”, përfundoi ai.

(Kosova Sot Online )