Sulmuesi ganez i Zvezdës, pasi vendi i tij e tërhoqi njohjen e Kosovës: Gjithmonë u flas për Serbinë

  • 13 November 2019 - 11:34
Sulmuesi ganez i Zvezdës, pasi vendi i tij e tërhoqi njohjen e Kosovës: Gjithmonë u flas për Serbinë

Lajmi se Gana e ka tërhequr njohjen e Kosovës është mirëpritur nga sulmuesi ganez i Crvena Zvezdas, Richmond Boakye, i cili tha për Telegrafin serb se ai është krenar për vendimin e vendlindjes së vet.

Agjencia franceze e lajmeve AFP raportoi të martën se Gana e ka tërhequr njohjen “e nxituar” të pavarësisë së Kosovës, veprim që u përkrah nga Serbia, e cila e kundërshton shtetësinë e Kosovës.

“Qeveria e Ganës ka vendosur që ta tërheqë njohjen e Kosovës si shtet të pavarur”, ka thënë të martën për AFP-në zëvendësministri i Jashtëm i këtij vendit, Charles Owiredu.

Ky lajm e ka gëzuar sulmuesin Richmond Boakye, i cili thekson se Serbia i ka ofruar atij shumë dashuri gjatë kohës sa ka luajtur për Crvena Zvezdan dhe se ai është i lumtur me vendimin e vendit të tij, që sipas Boakye është dëshmi për aleancën mes Ganës dhe Serbisë.

“Jam shumë i lumtur që kjo gjë ka ndodhur. Është një gjë fantastike për mua që Serbia, një vend ku kam marrë aq shumë dashuri, ka aleancë të sinqertë me Ganën time”, ka thënë Boakye.

“Kur jam në Ganë, unë gjithmonë flas për Serbinë. Tani e kam një arsye edhe më të veçantë për ta bërë këtë gjë. Jam shumë krenar”.

Në çdo ndeshje, tifozët e Crvena Zvezdës shfaqin pankarta ku thuhet “Nuk dorëzohemi, Kosova është Serbi”, kështu që tani Boakye do të bëhet edhe më i dashur për tifozët e klubit të tij. 

Deklarata e ministrisë ganeze thotë se pavarësia e shpallur njëanshëm e Kosovës ishte “në kundërshtim me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit”, referencë kjo për rezolutën e vitit 1999 që e vuri vendin nën protektorat ndërkombëtar.

Rezoluta i dha Kosovës “autonomi substanciale” brenda Jugosllavisë, pjesë e së cilës asokohe ishte Serbia, dhe nuk përmend pavarësinë e plotë.

Ministria e jashtme serbe përmes një deklarate vlerësoi “vendimin e rëndësishëm” të Ganës dhe tha se është bërë “vendi i 16… anëtar i OKB-së që ka tërhequr njohjen e Kosovës”.

Ndërkaq, ministria e Jashtme e Kosovës e ka quajtur këtë “vazhdim të një fushate të ndyrë” nga ana e Serbisë.

(Kosova Sot Online)