Futbollistët e Kosovës arrijnë në Çeki, vendosen në hotel

  • 13 November 2019 - 14:01
Futbollistët e Kosovës arrijnë në Çeki, vendosen në hotel

Ekipi kombëtar i Kosovës ka arritur në Çeki dhe është vendosur në hotelin ku do të qëndrojë skuadra gjatë deri në ndeshjen e së enjtes, që mund të jetë vendimtare për fatin e Kosovës drejt kualifikimit në Kampionatin Evropian 2020.

Përballja mes Çekisë dhe Kosovës, e cila do të zhvillohet më 14 nëntor në “Doosan Arena”, do të jetë vendimtare për fatin e të dyja Kombëtareve në Grupin A kualifikues për Kampionatin Evropian 2020.

Për këtë përballje, Kosova ka udhëtuar sot në Çeki dhe Gazeta Express ka siguruar fotografi nga vendosja e futbollistëve “Dardanë” në një hotel.

Çekia radhitet në pozitën e dytë në tabelën e Grupit A, me një pikë më shumë të fituar sesa Kosova, përderisa Anglia është lidere e grupit. Me fitore në përballjen e 14 nëntor, Çekia do ta fitonte kualifikimin në EURO 2020, ndërsa Kosova do të duhej të tentonte edhe një herë përmes play-offs të Ligës së Kombeve.

Kosova duhet të ngrihet të paktën në pozitën e dytë në tabelën e Grupit A për ta arritur kualifikimin në Kampionatin Evropian përmes fazës së grupeve.

Për ta arritur këtë qëllim, “Dardanët” sot u nisën në Çeki, për ta zhvilluar seancën e fundit stërvitore në Doosan Arena, ku të enjten zhvillohet ndeshja.

Më poshtë mund t’i lexoni rezultatet që i duhen Kosovës në dy ndeshjet e nëntorit – kundër Çekisë dhe Anglisë, për ta siguruar kualifikimin.

– Kosova eliminohet nëse humb kundër Republikës Çeke.

– Nëse Kosova e mposht Çekinë, atëherë mund t’i duhet barazimi kundër Anglisë varësisht nga rezultati i ndeshjes Bullgari – Çeki (nëse Çekia fiton kundër Bullgarisë, Kosovës do t’i duhej të paktën barazim kundër Anglisë; çfarëdo barazimi apo humbje e Çekisë kundër Bullgarisë do ta dërgonte Kosovën automatikisht në Evropian, pavarësisht rezultatit kundër Anglisë).

– Nëse Kosova barazon kundër Çekisë, atëherë Kosovës i duhet të paktën barazim kundër Anglisë dhe Çekia duhet të humbë kundër Bullgarisë.

– Nëse Kosova s’e arrin kualifikimin në këtë mënyrë, e ka të siguruar një vend në play-offs, si fitues i Grupit D3 të Ligës së Kombeve.

(Kosova Sot Online)